FBI ka njoftuar se ka parandaluar një komplot të dyshuar për sulm me dronë të mbushur me eksplozivë në Shtëpinë e Bardhë, gjatë një aktiviteti sportiv të organizuar në kryeqytetin amerikan.
Sipas autoriteteve, ngjarja lidhej me një event të arteve marciale të organizuar nga UFC, i cili po mbahej në kuadër të festimeve të përvjetorit të 80-të të lindjes së Presidentit Donald Trump.
Autoritetet amerikane kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në plan, ndërsa të paktën tre prej tyre janë akuzuar për komplot për vrasje.
Hetimet kanë nisur pas një informacioni të marrë nga nëna e njërit prej të arrestuarve, e cila ka sinjalizuar autoritetet për planin e dyshuar.
Sipas dokumenteve gjyqësore, plani parashikonte përdorimin e dronëve të pajisur me eksplozivë për të goditur zonën veriore të Shtëpisë së Bardhë gjatë zhvillimit të eventit sportiv, i quajtur “UFC Freedom 250”, pjesë e aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Fox News raportoi gjithashtu se autorë të tjerë të dyshuar planifikuan më pas të sulmonin portën e Shtëpisë së Bardhë. NBC News nuk ka konfirmuar detajet e komplotit, por një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit i tha atyre se rasti ishte "mjaft serioz".
Zëvendëspresidenti JD Vance tha në një intervistë në "Fox and Friends" se besonte që FBI po informonte publikun "sepse shkalla e sulmit të planifikuar ishte shumë e madhe", duke shtuar se sapo kishte dëgjuar për komplotin e dështuar këtë mëngjes.
Sakaq, i pyetur në samitin e G7-ës në Francë në lidhje me komplotin e dyshuar, Presidenti Donald Trump tha "Nuk kam dëgjuar për të".
"Sulmi që pashë ishin luftëtarët e UFC-së", shtoi ai.
Lini një Përgjigje