TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Qershor 2026, 00:07

Anglia e nis si pretendente Botërorin, "3 Luanët" mposhtin me 'poker' Kroacinë

Shkruar nga Pamfleti
Anglia e nis si pretendente Botërorin, "3 Luanët" mposhtin
Kombëtarja e Anglisë

Anglia e ka nisur me fitore aventurën e saj në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 4-2 ndaj Kroacisë në një përballje emocionuese të zhvilluar në Texas.

Skuadra e drejtuar nga Tomas Tuhel hyri fuqishëm në ndeshje dhe krijoi menjëherë presion ndaj kundërshtarit. Në minutën e 9-të, Luka Modriç shkaktoi një penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Noni Madueke brenda zonës. Arbitri francez Klement Tërpin akordoi 11-metërsh pa hezitim.

Herri Kejn fillimisht u ndal nga portieri Dominik Livakoviç, por penalltia u përsërit pasi gardiani kroat lëvizi përpara vijës së portës. Në tentativën e dytë, kapiteni anglez nuk gaboi dhe kaloi ekipin e tij në avantazh.

Kroacia reagoi në minutën e 36-të, kur Martin Baturina barazoi rezultatin me një goditje të bukur nga jashtë zonës, pas asistit të Petar Susiç. Megjithatë, avantazhi kroat zgjati pak, pasi në minutën e 42-të Kejn realizoi golin e dytë personal me kokë, pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Deklan Rajs.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me epërsinë e Anglisë, kroatët rikthyen sërish ekuilibrat. Në kohën shtesë, Ivan Perisiç shërbeu për Petar Musën, i cili mposhti Xhordan Pikford për rezultatin 2-2.

Pjesa e dytë nisi në mënyrë perfekte për anglezët. Vetëm pak minuta pas rifillimit, Xhud Beingham shfrytëzoi një asist të Eliot Anderson dhe shënoi për 3-2 me një goditje të fuqishme brenda zonës.

Anglia vazhdoi të dominonte lojën dhe krijoi disa raste të pastra shënimi me Rajs, O’Rilli, Gordon dhe Kejn, por Livakoviç u shfaq në formë të shkëlqyer, duke mbajtur në lojë Kroacinë me disa pritje vendimtare.

Në minutën e 76-të, Mario Pasaliç ishte pranë golit të barazimit, por Xhordan Pikford reagoi në mënyrë fantastike. Tetë minuta më vonë, anglezët vulosën fitoren. Dy zëvendësuesit e pjesës së dytë kombinuan në mënyrë perfekte, me Bukajo Saka që asistoi për Markus Rashford, i cili realizoi golin e katërt.

Në minutat shtesë, Josko Gvardiol iu afrua golit të tretë për Kroacinë, por Herri Kejn ndërhyri në mënyrë vendimtare në mbrojtje, duke ruajtur avantazhin e skuadrës së tij.

Në fund, Anglia siguroi një fitore të rëndësishme 4-2 dhe e nisi me tre pikë rrugëtimin në Grupin L të Kupës së Botës 2026. Ndeshja tjetër e grupit, mes Ganës dhe Panamasë, do të zhvillohet pas mesnate.

anglia kroacia kupa e botës

Lini një Përgjigje