Mbi 220 pasuri, mes kompanive, trojeve, vilave, apartamenteve dhe llogarive bankare, i janë sekuestruar Isa Aliut, vëllait të Salvadore Aliut, i konsideruar nga hetuesit si një nga figurat kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës. Emrat e dy vëllezërve përfshiheshin në 10 urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të goditjes së një prej rrjeteve më të rrezikshme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të ndryshme të Evropës.
Sipas hetimeve, pasuritë e regjistruara në emër të Isa Aliut dyshohet se janë krijuar përmes pastrimit të parave të përfituara nga narkotrafiku, kryesisht nëpërmjet aktiviteteve tregtare, ndërtimit dhe sektorit imobiliar. Dosja hetimore ngre dyshime se dy vëllezërit kanë ricikluar rreth 30 milionë euro të futura në Shqipëri përmes rrugëve të ndryshme, kryesisht në formë cash.
Aktiviteti i Isa Aliut si sipërmarrës nis në vitin 2008 me krijimin e kompanisë “Aliu Road House” sh.p.k., e cila operonte në fushën e eksport-importit.
Në vitin 2022 ai zgjeroi ndjeshëm aktivitetin e tij ekonomik. Në muajin mars bleu kompaninë e sigurisë “A.R.H. Security”, ndërsa në maj mori 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Green Invest” sh.p.k., e angazhuar në sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe pemëtarisë. Më pas, në tetor 2024, themeloi shoqërinë “Seavieu Development” sh.p.k., me objekt projektimin, ndërtimin dhe vënien në funksion të një kompleksi turistik, strukture hotelerie dhe objektesh turistike sezonale në Jalë.
Sipas hetuesve, periudha 2022-2025 përkon me një zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit të vëllezërve Aliu, të shoqëruar me investime të shumta në prona të paluajtshme dhe në sektorin e ndërtimit.
Dosja hetimore përmend edhe komunikime të vitit 2020 mes dy vëllezërve, ku Isa Aliu deklaronte se dispononte 6 milionë euro, ndërsa rreth dy javë më vonë Salvadore Aliu e njoftonte se do t’i mbërrinin edhe 20 milionë euro të tjera.
Në të njëjtën kohë, bilancet financiare të kompanisë “Aliu Road House” tregojnë një ndryshim të ndjeshëm. Deri në vitin 2019 kompania raportonte humbje, ndërsa në vitin 2020 regjistroi një fitim para tatimit prej 2.6 milionë lekësh. Një vit më vonë fitimi u rrit në mbi 129 milionë lekë, duke vijuar me ritme të larta edhe në vitet pasuese. Vlera e aseteve dhe të ardhurave të kompanisë llogaritet në rreth 13.6 milionë euro.
Gjatë viteve 2024-2025, kryesisht përmes “Aliu Road House”, regjistrohet një valë e re investimesh në pasuri të paluajtshme. Në korrik 2024, Isa Aliu bleu një godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie deri në 41 kate në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, nga kompania “Ferro Beton & Construction CO”. Objekti, ende në fazën e karabinasë, kishte një vlerë prej 2.9 milionë eurosh, ndërsa përfundimi i punimeve do të realizohej nga kompania e tij.
Në këtë transaksion shfaqet edhe emri i Ilir Shtufit, aksioner me 50 për qind në “Ferro Beton & Construction CO”. E njëjta kompani i kishte shitur Isa Aliut më shumë se 1 mijë metra katrorë sipërfaqe në kompleksin “Garden Building” në Tiranë gjatë vitit 2022. Shtufi u arrestua javën e kaluar në kuadër të një hetimi tjetër të SPAK-ut, ku dyshohet se u krijonte mundësi personave të përfshirë në narkotrafik për të pastruar para përmes kompanive të ndërtimit.
Vetëm në periudhën prill 2022 – shkurt 2023, Isa Aliu investoi në dy godina 5-6 katëshe, 11 vila, 47 apartamente, 9 njësi duplex dhe 41 poste parkimi në projektin “Lalzi Marina Seaside”.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 ai lidhi dy kontrata sipërmarrjeje për ndërtimin e një hoteli në Borsh dhe për realizimin e punimeve të një hoteli luksoz me pesë yje dhe 200 dhoma në Himarë. Në këmbim të investimit dhe punimeve, ai do të përfitonte pjesë pronësie në këto struktura.
Në total, përveç 63 llogarive bankare, Isa Aliu dhe kompanitë e tij rezultojnë në zotërim të më shumë se 160 pronave, përfshirë troje, kullota, sipërfaqe të mbjella me pemë, godina, pallate, vila dhe apartamente.
Këto pasuri përbëjnë më shumë se gjysmën e aseteve të paluajtshme të sekuestruara nga SPAK ndaj 10 personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal. Sipas vlerësimeve paraprake, vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në rreth 150 milionë euro.
Lini një Përgjigje