Deputeti Erald Kapri ka ngritur në Kuvend shqetësimin për kërcënimet e pretenduara ndaj deputetes Marjana Koçeku, duke kërkuar sqarime nga institucionet nëse asaj i është garantuar mbrojtja e nevojshme.
Gjatë fjalës së tij, Kapri u ndal te denoncimi publik i bërë nga Koçeku, e cila ka deklaruar se është kërcënuar nga grupi i Bajrave, dhe pyeti nëse Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës kanë ndërmarrë masa për sigurinë e saj.
“Nuk kemi dëgjuar nga ju në lidhje me denoncimin publik që ka bërë deputetja Koçeku se po kërcënohet nga një prej bandave të Shqipërisë. Duam të dimë nëse keni pasur kontakt, nëse Ministria e Brendshme dhe Garda e kanë marrë në mbrojtje deputeten, sepse fakti që mungon do të thotë që e ka të vështirë të kryej funksionin e saj”, tha Kapri.
Deputeti ngriti gjithashtu çështjen e protestave kundër projektit në Zvërnec, duke kërkuar që tema të trajtohet me prioritet nga Kuvendi.
“S’ka kuptim të miratojmë amnisti penale ndërkohë që të rinjtë dalin në shesh. Si mund të heshtë ky parlament? Kthejeni çështje dite, mocion me debat. Nëse nuk ndodh kjo, shpërndani parlamentin”, deklaroi ai.
Kapri kërkoi që Kuvendi të zhvillojë një debat të posaçëm për situatën e krijuar rreth Zvërnecit, duke argumentuar se reagimet publike dhe protestat kërkojnë një përgjigje politike dhe institucionale.
Lini një Përgjigje