TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2026, 20:15

Rama shpërfill protestuesit, nuk heq dorë nga Paketa e Maleve; Qeveria shpall zonat e reja prioritare

Shkruar nga Pamfleti
Rama shpërfill protestuesit, nuk heq dorë nga Paketa e Maleve; Qeveria
Rama perballë protestuesve

Mijëra qytetarë prej 20 ditësh në një prej protestave më të mëdha që organizohen në Tiranë, por jo vetëm, jo nga partitë politike, kanë shpallur 5 kërkesa, një prej të cilave është anulimi i Paketës së Maleve. Por duket se protestat nuk kanë shqetësuar Kryeministrin Edi Rama, të cilit i kërkohet dorëheqja.

Si përgjigje ndaj protestuesve, Qeveria miratoi sot zonat e reja prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në katër bashki të vendit. Vendimet prekin territore në Devoll, Kolonjë, Malësi të Madhe dhe Patos, me synim nxitjen e investimeve ekonomike, industriale dhe turistike

Sipas vendimeve të miratuara, zonat e përcaktuara do të shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike, me qëllim nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve të përfshira.

Në Bashkinë Devoll janë shpallur dy zona prioritare që përfshijnë gjithsej 29 fshatra në njësitë administrative Miras, Hoçisht, Progër dhe Qendër Bilisht. Sipërfaqja totale e këtyre zonave arrin në mbi 17 mijë hektarë.

Në Bashkinë Kolonjë janë shpallur shtatë zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. Zonat shtrihen në disa njësi administrative, përfshirë Qendër Leskovik, Barmash, Qendër Ersekë, Mollas dhe Çlirim, duke përfshirë dhjetëra fshatra të zonës. Sipërfaqja totale e këtyre territoreve tejkalon 9 mijë hektarë.

Ndërkohë, Bashkia Malësi e Madhe përfiton numrin më të madh të zonave të shpallura, me dhjetë zona prioritare që shtrihen në njësitë administrative Kastrat, Kelmend, Shkrel, Gruemirë, Qendër dhe Koplik. Vetëm zona që përfshin Vermoshin, Lëpushën, Vuklin, Nikçin dhe Bogën ka një sipërfaqe prej mbi 29 mijë hektarësh. Në total, sipërfaqja e zonave të shpallura në këtë bashki arrin mbi 51 mijë hektarë.

Edhe Bashkia Patos është përfshirë në këtë paketë, ku janë shpallur pesë zona prioritare në fshatrat Kuqar, Drenie, Gjynaqarë, Ruzhdie dhe Siqecë. Sipërfaqja totale e këtyre zonave është rreth 2 800 hektarë.

Sipas vendimeve të qeverisë, kufijtë, shtrirja territoriale dhe pikat e hyrjes dhe daljes për secilën zonë do të përcaktohen në hartat përkatëse të sistemit KRGJSH, të cilat i bashkëlidhen akteve.

Për zbatimin e këtyre vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse.

 

paketa e maleve rama protesta

1 Komente

  1. N
    Noc troku

    Kadavra e PRONAVE...thoshte i ndjeri IM ATË...që i mbylli sytë me dosje PRONASH nën sqetull ....kadavra dhe arshiva dy Fallsifikatorët e Pronave dhe të 7501-shit...

    Lini një Përgjigje