Vendimi vjen pasi Shqipëria u rendit mes vendeve që nuk përmbushën objektivin minimal të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike detajet e përdorimit të 302 milionë dollarëve të huazuara nga SHBA...
Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje të huas direkte me Shtetet e Bashkuara, të cilat do të përdoren për ushtrinë. Bazuar në marrëveshjen e miratuar nga Qeveria Rama, Shqipëria do të marrë një hua prej 302 milionë dollar, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.
Në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave thuhet se në mbledhjen e sotme është miratuar në parim marrëveshja e huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302 milionë dollarë amerikanë.
Në faqen zyrtare të Qeverisë shqiptare nuk jepen detaje të mëtejshme lidhur me marrëveshjen e huasë, por ajo që dihet është se ato do të përdoren për qëllime ushtarake. Nga raportimet mësohet se huaja do të përdoret kryesisht për modernizimit ushtarak, sipas programeve që financohen përmes FMF.
Ky vendim vjen në një kohë kur Shqipëria, renditet ndër 3 vendet që nuk ka arritur objektivin minimal për shpenzimet e mbrojtjes, atë prej 2 %, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ka kërkuar që objektivi të shkojë në 5 % për secilin nga vendet e Aleancës.
Media holandeze NOS, duke iu referuar burimeve të NATO-s, shkruan se Republika Çeke, Sllovenia dhe Shqipëria rezultojnë se kanë shpenzuar më pak se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen gjatë vitit 2024.
Në mars, NATO njoftoi se të gjitha vendet anëtare kishin arritur pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen. Megjithatë, një verifikim i mëvonshëm i të dhënave financiare tregoi se tre shtete kishin përfshirë në llogaritje shpenzime që nuk lejohen të konsiderohen si investime të mbrojtjes.
Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s, Shqipëria dhe Sllovenia paraqitën mospërputhjet më të mëdha, duke rezultuar rreth 0.5 pikë përqindjeje nën objektivin e kërkuar. Çështja merr rëndësi të veçantë në një kohë kur aleanca po diskuton rritjen e mëtejshme të shpenzimeve ushtarake. Para samitit të NATO-s në Hagë, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte kishte ushtruar presion ndaj vendeve që nuk përmbushnin angazhimet e tyre, duke paralajmëruar për pasojat politike dhe strategjike të mungesës së investimeve në mbrojtje.
Burime brenda aleancës paralajmërojnë se Republika Çeke, Sllovenia dhe Shqipëria rrezikojnë të mos arrijnë sërish objektivin prej 2% edhe gjatë këtij viti. Gjithashtu, ekzistojnë shqetësime edhe për nivelin e shpenzimeve të Hungarisë.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të reduktojnë kontributin e tyre financiar në strukturat e NATO-s nëse aleatët vazhdojnë të mos respektojnë angazhimet e marra. Aktualisht, SHBA mbulon rreth 15% të buxhetit të përbashkët të aleancës, i cili financon selitë, misionet dhe stërvitjet ushtarake.
Sipas burimeve të cituara nga NOS, Shqipëria mund të përballet edhe me pasoja politike brenda aleancës, përfshirë mundësinë që të mos i besohet organizimi i samitit të ardhshëm të NATO-s, shkruan media holandeze. /Pamfleti/
Duket të armatosemi deri dhëmbë....armikun imagjinar na kanos
Çdo qindarkë që harxhohet me programet e NATOs është para që duhej të shpenzohej për pensionistët, fëmijët, zhvillimin e vendit. Fatkeqësisht, bota është ndryshe, dhe për të kënaqur dikë, ndërshkojmë ato që duhej të ndihmonim realisht.