Deklarata e Edi Ramës u interpretua si një mesazh i drejtpërdrejtë për biznesmenin Behgjet Pacolli, duke theksuar se aeroporti “do të hapet me patjetër” dhe se nuk do të mbetet peng i mosmarrëveshjeve të brendshme të kompanisë. Kryeministri la të kuptohet se qeveria nuk do të tolerojë vonesa të mëtejshme që rrezikojnë realizimin e projektit.
Kryeministri Edi Rama ka garantuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të hapet pavarësisht vonesave dhe problemeve që kanë shoqëruar projektin, duke e lidhur situatën me mosmarrëveshjet e brendshme të kompanisë koncesionare.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur projekti është shoqëruar me debate dhe tensione mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është pjesë e konsorciumit që ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit. Në javët e fundit, palët kanë shkëmbyer akuza publike lidhur me ecurinë e investimit dhe përgjegjësitë për vonesat e krijuara.
Duke folur nga Aeroporti i Rinasit, Rama pranoi se projekti ka hasur pengesa, por theksoi se ato nuk lidhen me institucionet shqiptare.
“Të gjithë janë të informuar për disa vonesa të shkaktuara jo për shkak të shtetit, por për shkaqe të brendshme të kompanisë në aeroportin e Vlorës. Ministria ka ndërmarrë hapat e duhur dhe objektivi ynë është i palëvizshëm, që aeroporti i Vlorës do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda kompanisë”, deklaroi kryeministri.
Mesazhi i Ramës shihet si një përgjigje indirekte ndaj debatit të hapur me Pacollin për fatin e projektit, ndërsa kreu i qeverisë kërkoi të japë garanci se aeroporti do të vihet në funksion pavarësisht konfliktit mes aksionerëve apo problemeve të kompanisë ndërtuese.
Nga Rinasi, Rama njoftoi gjithashtu se qeveria ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e garës për aeroportin e Gjirokastrës, i cili sipas tij do të ketë karakter turistik dhe sezonal.
Lini një Përgjigje