TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Qershor 2026, 18:17

Pacolli vijon me sulmet ndaj qeverisë së Ramës: Strukturat shtetërore mbajnë peng një investim mbi 300 mln euro

Shkruar nga Pamfleti
Pacolli vijon me sulmet ndaj qeverisë së Ramës: Strukturat
Rama-Pacolli

Biznesmeni kosovar ngre alarmin për bllokimin e punimeve që prej 18 majit, flet për cenim të sigurisë juridike, vendime kontradiktore gjyqësore dhe dëme të rënda për ekonominë shqiptare.

Situata në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në një fazë të re tensioni, pasi biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht me akuza të forta për bllokimin e punimeve dhe pasigurinë juridike që, sipas tij, po dëmton një nga investimet më të mëdha strategjike në vend.

Përmes një deklarate publike, Pacolli shprehet se punimet në aeroport janë penguar që prej datës 18 maj 2026, në kundërshtim me vendime të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Situata në Aeroportin e Vlorës ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë. Që prej datës 18 Maj 2026, punimet në Aeroportin e Vlorës janë penguar dhe bllokuar nga veprime të ndërmarra nga një grup personash, të cilat, sipas vlerësimit tonë, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendime gjyqësore të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Lartë”, shprehet ai.

Sipas Pacollit, pasojat e këtij bllokimi nuk bien vetëm mbi kompaninë koncesionare, por prekin interesin publik, ekonominë kombëtare dhe zhvillimin e rajonit të Vlorës.

Ky bllokim po shkakton dëme të konsiderueshme dhe të vazhdueshme ndaj interesit publik, ekonomisë kombëtare, komunitetit lokal dhe investitorit koncesionar MABCO, i cili ka marrë përsipër dhe vazhdon të përballojë i vetëm barrën financiare të projektit, me një investim dhe angazhim shumëvjeçar që tejkalon vlerën prej 310 milionë eurosh me anë të injeksione kapitale, punime dhe garanci financiare”, tha ai.

Biznesmeni kosovar paralajmëron se vonesat në përfundimin e aeroportit po sjellin pasoja serioze ekonomike dhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj.

Vonesat në përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit, të cilat burojnë drejtpërdrejt nga këto veprime penguese, po shkaktojnë pasoja serioze për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe po dëmtojnë rëndë imazhin e Republikës së Shqipërisë si një vend i sigurt për investimet strategjike dhe për garantimin e shtetit të së drejtës”, u shpreh Pacolli.

Në reagimin e tij, ai hedh poshtë pretendimet se përgjegjësia për vonesat bie mbi investitorin, duke ia atribuar situatën një serie vendimesh që, sipas tij, kanë krijuar pasiguri të thellë juridike.

Duhet të theksohet se vonesat në realizimin e projektit nuk burojnë nga investitori, por nga veprime dhe procedura që kanë sjellë nxjerrjen e një sërë vendimesh kontradiktore dhe të kontestuara juridikisht nga gjykata të shkallës së parë, të cilat, në praktikë, kanë penguar ekzekutimin e vendimeve të instancave më të larta gjyqësore. Kjo situatë ka krijuar pasiguri juridike dhe ka cenuar parimet themelore të hierarkisë së vendimeve gjyqësore dhe të sigurisë juridike”, thekson ai.

Pacolli shprehet se pasojat nuk kufizohen vetëm te projekti i aeroportit, por prekin drejtpërdrejt autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve te shteti ligjor.

Vendime të tilla, të mbështetura nga veprime të personave të caktuar dhe të formalizuara përmes akteve gjyqësore përkatëse, përbëjnë shkakun kryesor të dëmeve ekonomike të sipërpërmendura, ndërsa njëkohësisht cenojnë rëndë autoritetin e sistemit të drejtësisë, rendin kushtetues dhe besimin e publikut në funksionimin e shtetit ligjor”, tha ai.

Më tej, biznesmeni kosovar ngre shqetësime edhe për përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që, sipas tij, kërkojnë verifikim të plotë institucional.

Po aq shqetësues mbetet fakti se, në raste të caktuara, zbatimi i këtyre veprimeve është shoqëruar me përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që kërkojnë verifikim dhe hetim të plotë institucional, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e interesit publik”, u shpreh Pacolli.

Në fund të reagimit të tij, ai i bëri thirrje Prokurorisë, organeve të rendit dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar punimet dhe për të hetuar përgjegjësit e situatës së krijuar.

I bëjmë thirrje organeve kompetente të rendit, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin me urgjencë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e punimeve, rivendosjen e ligjshmërisë, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe hetimin e plotë të çdo veprimi apo mosveprimi që ka kontribuar në krijimin e kësaj situate”, përfundoi ai.

pacolli rama

Lini një Përgjigje