Reali i Madridit ka zyrtarizuar rikthimin e Zhoze Murinjos në stolin e skuadrës së parë, duke konfirmuar një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos verore në futbollin evropian.
Sipas njoftimit të klubit spanjoll, drejtuesit madrilenë kanë arritur marrëveshjen me trajnerin portugez, ndërsa për të mundësuar largimin e tij nga Benfika është paguar një shumë prej 15 milionë eurosh për prishjen e kontratës ekzistuese.
Murinjo ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në krye të Realit të Madridit deri më 30 qershor 2029. Ai do të drejtojë ekipin për tre sezonet e ardhshme, me objektivin për ta rikthyer klubin në nivelin më të lartë të futbollit evropian pas dy edicionesh pa trofe madhorë.
Në komunikatën zyrtare, Reali i Madridit bën të ditur se bordi drejtues, i kryesuar nga presidenti Florentino Perez, ka miratuar emërimin e trajnerit portugez deri në vitin 2029.
Murinjo pritet t’i bashkohet skuadrës më 13 korrik, datë që përkon me nisjen e fazës përgatitore për sezonin e ri. Drejtuesit e klubit shpresojnë se eksperienca e tij e gjatë dhe mentaliteti fitues do të sjellin një cikël të ri suksesesh për gjigantin madrilen.
Lini një Përgjigje