Emocionet e Botërorit 2026 kanë nisur zyrtarisht. Meksika, një nga tre vendet organizatore të këtij edicioni historik, pret ndeshjen hapëse të kompeticionit, ku do të përballet me Afrikën e Jugut.
Para fillimit të takimit, tifozët e pranishëm në stadium dhe miliona shikues në mbarë botën shijuan një ceremoni hapëse spektakolare, e cila shënoi startin e festës më të madhe të futbollit.
Sfida, e programuar të nisë në orën 21:00, hap rrugën për Botërorin e parë në histori që zhvillohet me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve. Pak para nisjes së ndeshjes janë publikuar edhe formacionet zyrtare të të dyja skuadrave.

Meksika synon ta nisë aventurën në shtëpi me një fitore përpara tifozëve të saj. Vendi pritës shkruan gjithashtu histori, pasi bëhet kombi i parë që organizon Kupën e Botës për herë të tretë.
Në anën tjetër, Afrika e Jugut, e njohur me nofkën “Bafana Bafana”, synon të surprizojë që në debutimin e saj në këtë edicion dhe të sigurojë një rezultat pozitiv ndaj vendasve.
Takimi zhvillohet në Mexico City dhe do të gjykohet nga arbitri brazilian Uilton Sampaio.
Botërori 2026 konsiderohet një nga edicionet më të veçanta në historinë e kompeticionit, jo vetëm për zgjerimin në 48 skuadra, por edhe për faktin se organizohet nga tre vende pritëse, duke premtuar një spektakël futbollistik përgjatë javëve në vijim.
Lini një Përgjigje