Reali i Madridit mund të përballet me një nga largimet më të bujshme të kësaj vere. Sipas raportimeve nga media spanjolle, braziliane dhe portali “Indykaila News”, Vinicius Zhunior ka refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës me klubin madrilen, duke hapur rrugën për një transferim të mundshëm gjatë merkatos verore.
Kontrata aktuale e sulmuesit brazilian skadon në qershor të vitit 2027, por drejtuesit e Realit nuk dëshirojnë të rrezikojnë humbjen e lojtarit pa përfitime financiare në të ardhmen. Për këtë arsye, një shitje gjatë kësaj vere shihet si një opsion i mundshëm nëse palët nuk arrijnë marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Vinicius iu bashkua Realit të Madridit në vitin 2018 nga Flamengo për rreth 45 milionë euro, një investim që rezultoi i suksesshëm për klubin spanjoll. Megjithatë, dy sezonet e fundit kanë qenë të vështira për 25-vjeçarin, i cili nuk ka arritur të ruajë vazhdimësinë e paraqitjeve që e shndërruan në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Ndër klubet më të interesuara për shërbimet e tij përmendet Mançester Siti. Sipas raportimeve, braziliani e sheh me interes një aventurë të re në Premier Ligë dhe nënkampionët e Anglisë janë të gatshëm të bëjnë përpjekje maksimale për ta transferuar atë.
Bisedimet mes klubeve pritet të jenë të komplikuara dhe të zgjasin deri në fazat e fundit të merkatos. Megjithatë, Mançester Siti mbetet i vendosur për të siguruar firmën e njërit prej futbollistëve më të talentuar të brezit të tij.
Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Reali i Madridit, Mançester Siti apo vetë Vinicius Zhunior lidhur me këto raportime.
Lini një Përgjigje