TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Qershor 2026, 22:23

Nga sulmi me acid te goli historik në Botëror, sulmuesi i Kongos: Rrezikova të humbisja shikimin, tani luaj për popullin tim

Shkruar nga Pamfleti
Nga sulmi me acid te goli historik në Botëror, sulmuesi i Kongos:
sulmuesi i Kongos, Joan Uisa

Joan Uisa është shembulli i një sportisti që ka sfiduar vështirësitë më të mëdha për të arritur suksesin. Sulmuesi i Republikës Demokratike të Kongos, i cili u bë protagonist në barazimin 1-1 ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos, mban ende në fytyrë gjurmët e një ngjarjeje që mund t’i kishte ndryshuar përgjithmonë jetën.

Në vitin 2021, Uisa u sulmua me acid pranë shtëpisë së tij, një episod që e vendosi përballë rrezikut të humbjes së shikimit dhe përfundimit të karrierës sportive.

Është një histori për të cilën nuk do të doja të flisja shumë, sepse ende më dhemb. Rrezikova të humbja shikimin dhe të mos luaja më futboll. Kam vuajtur shumë”, rrëfen ai.

Megjithatë, futbollisti 28-vjeçar arriti të rikthehej dhe në Kupën e Botës në Houston shkroi historinë, duke realizuar golin e parë të Republikës Demokratike të Kongos në një Botëror.

Duke kujtuar momentin e golit, Uisa tha se mendimi i tij i parë ishte të sigurohej që aksioni të mos anulohej për pozicion jashtë loje.

U luta të mos isha në pozicion jashtë loje. Nuk kuptova asgjë në ato çaste. Do të më duhet kohë për ta përpunuar. Mendova për miliona kongolezë në mbarë botën, për fëmijët e diasporës dhe për ekipin e vitit 1974”, u shpreh ai.

Sulmuesi kujtoi edhe pjesëmarrjen historike të Zaires në Botërorin e vitit 1974, duke e cilësuar si një histori të mbushur me sakrifica dhe vështirësi.

Më kanë treguar për atë ekip, për historinë e tij dhe për momentet që kanë mbetur në kujtesën e futbollit. Pas 52 vitesh, mund të themi se i kemi dhënë vendit një kujtim të ri”, tha Uisa.

Mesazhi i tij mori edhe një dimension më të gjerë, duke pasur parasysh situatën e vështirë që vazhdon në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Duhet të jemi shembull dhe të tregojmë se jemi të fortë e të bashkuar. Duhet të lutemi për paqe. Ky rezultat është për të gjithë kongolezët, për ata që janë në vend, për ata që janë larguar dhe për ata që nuk janë më. Ne vazhdojmë të rezistojmë”, deklaroi ai.

Uisa tregoi se rrugëtimi i tij drejt futbollit profesionist nuk ka qenë i lehtë. Në fëmijëri luante si portier dhe merrej edhe me regbi, ndërsa më pas karriera e tij mori hov te Lorient, përpara se të transferohej në Premier Ligë.

Kam pasur një rrugëtim ku më është dashur të luftoj për çdo gjë”, tha ai.

Sa i përket objektivave të ekipit, sulmuesi theksoi se barazimi me Portugalinë është vetëm fillimi.

Kemi marrë pikën e parë në historinë tonë në një Botëror. Tani duhet të synojmë edhe fitoren e parë”, u shpreh ai.

Në fund, i pyetur nëse ende mendon për sulmin me acid që për pak i mori shikimin, Uisa dha një përgjigje që pasqyron forcën e karakterit të tij.

Çfarë rëndësie ka tani? E kam kaluar pas një rrugëtimi të gjatë. M’u deshën muaj për të rifituar plotësisht shikimin, por sot jam i qetë dhe i lumtur. Jemi këtu, në Botëror, 52 vjet pas paraqitjes së fundit të vendit tonë, duke shijuar një rezultat që askush nuk e priste. Vetëm kjo ka rëndësi”, përfundoi ai./"La Gazetta Dello Sport"

joan uisa sulmuesi i kongos kupa e botës

Lini një Përgjigje