Barazimi i Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos ka sjellë jo vetëm zhgënjim për rezultatin, por edhe tensione të reja brenda opinionit sportiv portugez. Përveç paraqitjes së skuadrës në fushë, vëmendje të veçantë kanë marrë deklaratat e mesfushorit Zhoao Neves pas përfundimit të takimit.
I pyetur për performancën e Kristiano Ronaldos, lojtari i PSG-së theksoi se kapiteni nuk duhet të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e ekipit.
“E dimë çfarë përfaqëson Kristiano Ronaldo për Portugalinë, por sot mes tij dhe pjesës tjetër të skuadrës nuk ka diferencë. Kristiano është këtu për të ndihmuar dhe për të dhënë kontributin e tij, ashtu si të gjithë ne. Nuk është ndryshe nga të tjerët”, deklaroi Neves.
Fjalët e tij nuk janë pritur mirë nga një pjesë e madhe e tifozëve të Ronaldos, të cilët kanë vërshuar në profilin e mesfushorit në Instagram me komente kritike.
“Dua të jem i qartë, Zhoao. Deklaratat e tua për Kristianon ishin të pavenda dhe jo profesionale. Duhet ta respektosh”, shkruante një prej komentuesve. Të tjerë kanë shkuar edhe më tej, duke theksuar se “arritja më e madhe në karrierën tënde është fakti që po luan krah Ronaldos”.
Mes qindra komenteve dhe imazheve GIF me festimet e yllit portugez, nuk kanë munguar as këshillat që Neves t’ia pasojë më shpesh topin Kristiano Ronaldos gjatë ndeshjeve.
Megjithatë, mes kritikave pati edhe zëra në mbështetje të mesfushorit. Sidomos tifozët e PSG-së u përpoqën ta mbrojnë lojtarin e tyre, duke i bërë thirrje të mos ndikohet nga komentet negative.
“Zhoao, mbyllua gojën këtyre kritikëve, fito Kupën dhe trego se CR7 duhet të ulet në stol”, ishte një nga komentet në mbështetje të tij.
Pavarësisht polemikave që kanë shoqëruar nisjen e aventurës së Portugalisë në turne, skuadra e drejtuar nga Roberto Martinez do të ketë mundësinë të rikthehet te rezultatet pozitive në sfidën e radhës. Të martën, portugezët do të përballen me Uzbekistanin, në një ndeshje ku gabimet nuk lejohen nëse synojnë të shuajnë debatet dhe të rikthejnë qetësinë në kampin e tyre.
Lini një Përgjigje