Kampionati Botëror 2026 po sjell emocione jo vetëm në stadiume, por edhe jashtë tyre, ku tifozët po përjetojnë momente të veçanta në qytetet mikpritëse.
Një prej episodeve më të komentuarave të ditëve të fundit është regjistruar në Meksikë, ku një person me ngjashmëri të jashtëzakonshme me legjendën e futbollit Diego Armando Maradona ka tërhequr vëmendjen e mijëra tifozëve dhe është bërë viral në rrjetet sociale.
Në videon që po qarkullon gjerësisht në internet, burri shihet duke ecur mes turmës në rrugët e Meksikës, vendi ku Maradona shkroi historinë e futbollit botëror duke udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës 1986.
Ngjashmëria e tij me ikonën argjentinase është befasuese. Flokët kaçurrela, mjekra karakteristike, statura fizike dhe madje mënyra e ecjes kanë bërë që shumë tifozë të ndalojnë për ta parë nga afër dhe për të përjetuar një moment nostalgjie.
Të pranishmit e rrethuan menjëherë sosinë e Maradonës, ndërsa nuk munguan këngët kushtuar legjendës së futbollit, fotografitë dhe videot që u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Ky moment ka rikthyer në kujtesë figurën e një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke dëshmuar se ndikimi dhe trashëgimia e Diego Armando Maradonës vazhdojnë të mbeten të gjalla në zemrat e tifozëve, edhe vite pas ndarjes së tij nga jeta.
Lini një Përgjigje