Ish-futbollisti dhe drejtuesi sportiv italian, Igor Proti, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin. Lajmi i trishtë u bë publik nga familja e tij në orët e para të datës 19 qershor, përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Në njoftimin e familjes u publikua edhe përshëndetja e fundit që vetë Proti kishte lënë për të afërmit, miqtë dhe tifozët:
“Ky udhëtim i mrekullueshëm, si çdo ndeshje, ka mbërritur deri në fishkëllimën e fundit. Është e vështirë të gjej fjalët e duhura, por e vetmja gjë që mund të bëj është të falënderoj familjen time të madhe e të mrekullueshme, të cilën e kam dashur pa masë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë dhe tifozët e skuadrave për të cilat kam luajtur, për dashurinë dhe përzemërsinë që më kanë treguar gjithmonë. Shpresoj që ky të jetë vetëm një takim i përkohshëm dhe jo një lamtumirë.”
Homazhet në nder të tij do të zhvillohen sot në orën 15:00 në sallën mortore Frongillo, në varrezat e Cecinës. Ndërkohë, të shtunën në orën 18:00, trupi i Protit do të vendoset në stadiumin “Armando Picchi” të Livornos, vendi ku ai shkroi faqet më të rëndësishme të karrierës së tij sportive.
Kryebashkiaku i Livornos, Luka Salvetti, bëri të ditur se qyteti do të shpallë një ditë zie në nder të ish-sulmuesit, i cili u kthye në simbol të klubit falë golave të shënuar në Serinë A, Serinë B dhe Serinë C.
Pak javë para ndarjes nga jeta, Proti kishte emocionuar opinionin publik duke shoqëruar vajzën e tij Noemi drejt altarit, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore. Në atë rast ai kishte përcjellë një mesazh të thjeshtë, por domethënës: të gjithë duhet të “kultivojnë dashurinë çdo ditë”.
I njohur me nofkën “Cari”, Proti mbetet një figurë e veçantë në futbollin italian. Ai ishte, së bashku me Dario Hybner, një nga të paktët futbollistë që arriti të shpallej golashënuesi më i mirë në Serie A me Barin dhe në Serinë B e Serinë C me Livornon. Gjithashtu, ai mbetet i vetmi lojtar që u shpall golashënuesi më i mirë i Serie A me një skuadër që në fund të sezonit ra nga kategoria.
Karrierën e nisi te të rinjtë e Riminit dhe më pas veshi fanellat e disa klubeve italiane, mes tyre Rimini, Mesina, Bari, Lacio, Napoli, Rexhiana dhe Livorno. Pikërisht te Livorno ai u shndërrua në një ikonë të klubit, duke mbajtur më vonë edhe role drejtuese.
Në vitin 2025, Proti kishte bërë publike sëmundjen e tij përmes një postimi në Instagram, ku shkruante se po përballej me një “kundërshtar të padëshiruar” dhe se do të luftonte me të njëjtin përkushtim që kishte treguar gjatë gjithë karrierës sportive.
Mes të parëve që reagoi pas lajmit të ndarjes nga jeta ishte ish-futbollisti Kristiano Lukareli, mik i ngushtë i Protit. Ai kujtoi takimin e fundit me të vetëm një javë më parë dhe vlerësoi forcën me të cilën përballoi sëmundjen.
“Padyshim që ishte një shembull për të gjithë ne. Mënyra se si e përballoi sëmundjen ishte një mësim i madh. Kur e shoqëroi vajzën drejt altarit pak javë më parë, ishte sikur po na tregonte se jeta duhet jetuar plotësisht deri në ditën e fundit”, u shpreh Lukareli./"Corriere della Sera"
Lini një Përgjigje