Skuadra e Partizanit duket se ka gjetur trajnerin që do të drejtojë ekipin e kuq edicionin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Gazment Demi, kanë orientuar sërish vëmendjen drejt futbollit italian, duke hyrë në negociata me një emër të njohur për futbollin shqiptar.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Panorama Sport”, kandidati kryesor për stolin e të kuqve është Paolo Tramezani. Tekniku italian njihet nga afër me realitetin shqiptar, pasi ka qenë zëvendëstrajner i Kombëtares gjatë periudhës kur ajo drejtohej nga Xhani De Biazi, duke kontribuar në rrugëtimin historik që çoi Shqipërinë në “EURO 2016”.
Pas përfundimit të Kampionatit Europian, Tramezani vendosi të ndiqte karrierën si trajner i parë. Gjatë viteve të fundit ai ka drejtuar disa skuadra, mes tyre Lugano, Sion, APOEL, Livorno, Hajduk Split, Al-Faisali, Istra 1961, Yverdon dhe AEL Limasol. Aktualisht, ai është pjesë e klubit të Komos në futbollin e femrave në Itali.
Burime pranë negociatave bëjnë me dije se palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Nëse bisedimet mbyllen me sukses, Tramezani do të rikthehet në Shqipëri për të nisur një aventurë të re në krye të Partizanit, pas një eksperience të gjatë në futbollin europian.
Lini një Përgjigje