Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli duhet të synojë pavarësinë në prodhimin e armëve, ndërsa afron skadimi i marrëveshjes 10-vjeçare të ndihmës ushtarake amerikane në vitin 2028.
Gjatë një fjalimi sot, Netanyahu theksoi se Izraeli duhet të ndërtojë kapacitetet e veta ushtarake dhe të reduktojë varësinë nga furnizimet e huaja.
“Dua pavarësi nga armët. E vlerësoj mbështetjen që kemi marrë nga miqtë tanë amerikanë, por duhet të kemi sistemin tonë të pavarur të armatimit. Duhet të prodhojmë armët tona”, deklaroi ai.
Kjo nuk është hera e parë që lideri izraelit shpreh ambicie për forcimin e industrisë vendase të mbrojtjes. Në shtator të vitit të kaluar, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli po përballet me një periudhë izolimi ndërkombëtar që mund të zgjasë me vite, duke argumentuar se vendi duhet të investojë më shumë në prodhimin e armëve dhe teknologjisë ushtarake.
Aktualisht, sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2018, Izraeli përfiton rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit nga Shtetet e Bashkuara. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve përdoret për blerjen e pajisjeve dhe sistemeve të prodhuara nga industria amerikane e mbrojtjes.
Marrëveshja aktuale skadon në vitin 2028 dhe pritet të negociohet një kornizë e re bashkëpunimi. Megjithatë, mbështetja për Izraelin është bërë një temë gjithnjë e më e debatueshme në politikën amerikane. Demokratët kanë kritikuar ashpër qeverinë Netanyahu për mënyrën e zhvillimit të luftës në Gaza dhe Liban, ndërsa edhe një pjesë e republikanëve kanë shprehur rezerva ndaj politikave izraelite.
Në fillim të qershorit, Ministria izraelite e Mbrojtjes bëri të ditur se kanë nisur bisedimet zyrtare me administratën Trump për krijimin e një marrëveshjeje të re sigurie që do të pasojë memorandumin aktual.
Lini një Përgjigje