TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 22:29

Enver Robelli: Pasi mbaroi me iranianët, Rama po sulmon edhe kosovarët

Shkruar nga Pamfleti

Enver Robelli: Pasi mbaroi me iranianët, Rama po sulmon edhe kosovarët

Gazetari Enver Robelli ka komentuar deklaratat e kryeministrit Rama lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

I ftuar në një lidhje direkte për "A2 CNN", Robelli kritikoi tendencën për të lidhur protestat me ndërhyrje nga Kosova dhe për të përgjithësuar raste individuale.

“Natyrisht që ka pasur edhe në të kaluarën raste kur individë nga Kosova ndoshta nuk kanë luajtur rol të mirë në Shqipëri, siç kemi pasur edhe raste kur njerëz nga Shqipëria nuk kanë luajtur rol mjaft të mirë në Kosovë, por gjërat nuk duan asesi të përgjithësohen”, u shpreh ai.

Robelli theksoi se nuk mund të stigmatizohen qytetarët e Kosovës për shkak të bindjeve apo qëndrimeve të tyre politike, ndërsa kujtoi se edhe vetë kryeministri shqiptar ka ndërhyrë shpesh në debatet e brendshme të Kosovës.

“Nëse ka një politikan nga Shqipëria që ka ndërhyrë shpesh, pa ia kërkuar askush, në çështje të brendshme të Kosovës, është ky kryeministër. Ky ka shkruar status për Asociacionin e komunave serbe dhe ka dhënë këshilla se si t’i zgjerohet autonomia pakicës serbe në Kosovë”, deklaroi ai.

Gazetari ngriti shqetësimin se po krijohet një ndarje artificiale mes qytetarëve të Kosovës bazuar në qëndrimet e tyre ndaj qeverisë shqiptare.

“Është një tendencë shumë e rrezikshme edhe të ndarjes në kosovarë të mirë dhe kosovarë të këqij. Kosovarët e mirë janë ata që miratojnë çdo gjë që bën kjo qeveri, ndërsa stigmatizohen ata që mbajnë qëndrim kritik”, tha Robelli.

Ai theksoi gjithashtu se mbështetja ndaj protestës nuk vjen vetëm nga Kosova, por edhe nga shqiptarë të diasporës dhe qytetarë që jetojnë prej vitesh në Shqipëri.

“Mund të ketë njerëz jo vetëm nga Kosova, por edhe nga diaspora. Po shoh mjaft qytetarë zviceranë të cilët në 15-20 vitet e fundit jetojnë në Shqipëri dhe janë me protestën. Ata nuk janë kurrfarë agjentësh”, përfundoi Robelli.

enver robelli rama qytetare kosova

Lini një Përgjigje