
Protesta e 24-të kundër qeverisë vijon me marshim në rrugët e kryeqytetit, ndërsa protestuesit kanë bllokuar disa akse kryesore dhe po bëjnë thirrje për bashkimin e qytetarëve në kauzën e tyre.
Rrugët e Tiranës vijojnë të mbushen me protestues, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit të tyre, protestuesit kanë bllokuar disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke paralizuar përkohësisht qarkullimin në disa zona të qytetit. Aktualisht, ata po lëvizin në drejtim të Rrugës së Elbasanit me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, duke iu drejtuar Parlamentit.
Thirrjet kundër qeverisë nuk kanë ndaluar gjatë gjithë protestës. Mes sloganeve më të dëgjuara janë “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe “Bashkohuni me ne”, ndërsa protestuesit u bëjnë thirrje qytetarëve të tjerë t'i bashkohen lëvizjes.
Në tubim marrin pjesë fëmijë, të rinj, gra, burra dhe të moshuar, të cilët shprehen të vendosur se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, duke e konsideruar largimin e kryeministrit si një kërkesë të panegociueshme.
Lini një Përgjigje