Botërori 2026 vazhdon të dhurojë spektakël me emrat më të mëdhenj të futbollit botëror si Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo, Kilian Mbape, Erling Haland dhe Lamin Jamal. Megjithatë, përveç yjeve të sulmit që zakonisht marrin vëmendjen kryesore, këtë edicion po spikasin edhe disa portierë të panjohur për publikun e gjerë, të cilët po shfrytëzojnë skenën më të madhe të futbollit për të treguar historitë e tyre të veçanta.
Formati i ri me 48 skuadra, i diskutuar dhe kritikuar gjerësisht para nisjes së turneut, ka sjellë në qendër të vëmendjes futbollistë që deri më sot ishin pothuajse anonimë. Mes tyre ka dentistë, ish-lojtarë softballi, pastorë dhe portierë që kanë kaluar pjesën më të madhe të karrierës në stol. Për shumë prej tyre, Botërori përfaqëson mundësinë e vetme për të ndryshuar rrjedhën e karrierës.
Vozinja, dentisti që ndali Spanjën
Një nga historitë më frymëzuese është ajo e Josimar Dias, i njohur në futboll si Vozinja. Portieri 40-vjeçar i Kepit të Gjelbër ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për paraqitjet e tij, por edhe për rrugëtimin e pazakontë drejt futbollit profesionist.
I diplomuar si dentist, Vozinja e nisi karrierën profesionale në moshën 25-vjeçare në Angola. Në ndeshjen hapëse të Botërorit, ai ishte protagonist në ndalimin e Spanjës favorite, duke realizuar disa pritje vendimtare. Brenda pak orësh fitoi miliona ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa aktualisht ndodhet pa klub pas përfundimit të kontratës me Çavesin në Portugali.
Historia e tij u bë edhe më prekëse kur nëna e tij arriti ta ndiqte nga afër në turne, pasi fillimisht ishte përballur me probleme për pajisjen me vizë.
Eloi Rum, rekordmeni i Kuraçaos
Në moshën 37-vjeçare, Eloi Rum po përjeton një nga momentet më të mira të karrierës. Pas humbjes së rëndë ndaj Gjermanisë, portieri i Kuraçaos u shndërrua në hero në barazimin pa gola ndaj Ekuadorit, ku realizoi plot 15 pritje, një rekord i këtij Botërori.
I lindur në Holandë dhe i formuar te Vitese e PSV, Rum zgjodhi të përfaqësojë Kuraçaon falë origjinës së familjes së tij. Aktualisht ai luan për Miami FC dhe ruan si kujtim të veçantë fanellën që Lionel Mesi i dhuroi pas ndeshjes Argjentinë-Kuraçao në vitin 2023.
“Duhet të më ngrenë një statujë në Kuraçao”, deklaroi me humor portieri pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Ekuadorit.
Beiranvand, nga jeta e vështirë te fama botërore
Alireza Beiranvand mbetet një nga figurat më të veçanta të futbollit iranian. Portieri 34-vjeçar u bë i njohur në Botërorin 2018 kur priti penalltinë e Kristiano Ronaldos, ndërsa në këtë edicion ka qenë vendimtar kundër Belgjikës, duke neutralizuar disa nga sulmuesit më të rrezikshëm të turneut.
Fëmijëria e tij ishte larg futbollit profesionist. Babai dëshironte që ai të bëhej pastor dhe shpesh i shkatërronte dorezat për ta larguar nga sporti. Beiranvand u largua nga shtëpia dhe punoi si bukëpjekës, rrobaqepës, madje edhe si larës makinash për të mbijetuar.
Pas shumë përpjekjesh, ai arriti të fitonte një provë te klubet e Teheranit dhe më pas ndërtoi një karrierë të suksesshme me Naft Tehran, Persepolis, Antuerp dhe Traktor. Historia e tij u shndërrua edhe në film në vitin 2022, ndërsa ai mban një rekord në Librin Guinness për rivënien më të gjatë të topit me dorë në futboll, 61.26 metra.
Patrick Beach, surpriza australiane
Patrick Beach mbërriti në Botëror si portieri i tretë i Australisë, por përfundoi si titullar. 23-vjeçari fitoi besimin e stafit teknik dhe ishte një nga protagonistët e fitores 2-0 ndaj Turqisë.
Deri në moshën 15-vjeçare, Beach alternonte futbollin me softballin dhe konsiderohej një talent premtues në të dy sportet. Vetëm në sezonin e fundit ai shpërtheu me Melburn Sitin, duke kontribuar në fitimin e kampionatit australian.
Paraqitjet në Botëror mund t’i hapin rrugën një transferimi të rëndësishëm në futbollin evropian.
Rasti unik i Skocisë
Skocia ka sjellë në Botëror një repart portierësh krejtësisht të pazakontë. Të tre portierët e grumbulluar janë rezerva në klubet e tyre dhe së bashku kanë zhvilluar vetëm shtatë ndeshje gjatë sezonit 2025-2026.
Angus Gan luajti vetëm 45 minuta me Notingam Forest në Premier Ligë Liam Kelli ishte portieri i Kupës te Renxhërs, ndërsa Kreig Gordon, 43 vjeç, është lojtari më i moshuar i këtij Botërori dhe numëron vetëm tri paraqitje me Hërts.
Pavarësisht mungesës së minutave, skocezët shpresojnë që përvoja dhe karakteri i tyre të mjaftojnë për të arritur një objektiv historik: kalimin e fazës së grupeve për herë të parë në historinë e kombëtares.
Lini një Përgjigje