TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Qershor 2026, 16:01

Gracka e dhunës: pse zërat e pushtetit duan ta nxjerrin protestën nga rruga që i ka lënë pa gjumë

Shkruar nga Pamfleti
Gracka e dhunës: pse zërat e pushtetit duan ta nxjerrin protestën
Foto nga protestat

Paqja nuk është dobësia e kësaj lëvizjeje. Është arma e saj më e mprehtë. Një protestë e madhe dhe paqësore e lë shtetin pa justifikim për dhunë dhe e ruan të paprekur mbështetjen ndërkombëtare të fituar me mund....

Prej njëzet e tre ditësh, një lëvizje paqësore mban sheshin para Kryeministrisë dhe nuk i lë Edi Ramës asnjë justifikim për ta shtypur. Pikërisht në këtë çast nis një operacion i heshtur me fjalë. Një varg analistësh e zërash pranë qeverisë e godasin protestën me të njëjtin refren: paqja nuk prodhon asgjë. Pavarësisht çfarë ka në mendje secili prej tyre, efekti i përbashkët i kësaj kakofonie është një grackë me dy dalje, dhe të dyja e shpëtojnë pushtetin.

Lëvizja nisi në Zvërnec, pas dhunës së 30 majit, dhe brenda pak ditësh mbushi Tiranën. E rrezikshme për qeverinë nuk e bën numri, por disiplina: paqësore, masive, qytetare, e pavarur nga të dyja partitë e mëdha, me një slogan që i përmbledh të gjitha, "Rama në burg, Berisha në burg". Pikërisht kjo natyrë ia heq pushtetit mjetin që do më shumë, justifikimin për të përdorur forcën.

Thuhet se kjo protestë s'ka prodhuar asgjë. Faktet thonë të kundërtën. Brenda javëve të para ranë telat me gjemba dhe pastaj gardhi në Zvërnec. Personat që u sollën si shteti ndaj një qytetari të shtrirë në rërë u identifikuan dhe përfunduan të ndaluar. Drejtuesi i policisë e humbi postin, jo nga hiri i qeverisë, por nën peshën e rrugës. Çështja kaloi kufijtë dhe mbërriti në Bruksel e në Parlamentin Europian. U ngrit edhe një brez i tërë zërash të rinj që një muaj më parë nuk i njihte njeri. Kur një protestë lëviz tela e beton, rrëzon funksionarë dhe mban sheshin plot tri javë rresht, të thuash se s'ka arritur asgjë nuk është analizë. Është mohim.

Sulmi ndaj protestës vjen i ndarë në dy zëra që duken të kundërt, por të çojnë në të njëjtin vend. Refreni i parë është i thjeshtë, "nuk prodhon asgjë". Zëdhënësi më i ashpër i tij këto ditë është Ilir Demalia. Në një dalje televizive, ai e quan lëvizjen jo protestë, por performancë kolektive, konsum kulturor, "selfie morale", ritual provincial me filtra instagrami mbi një zbrazëti qytetare. Qeveria, sipas tij, s'ka pse të shqetësohet, sepse e pret gjithçka me një qetësi cinike, dhe protesta do të tretet në lodhjen kolektive shqiptare, ngaqë ky vend ende s'ka dalë nga fisi për të hyrë në qytet.

Ky nuk është gjykim i çastit, dhe pikërisht këtu fshihet e meta e tij. I njëjti qëndrim u shfaq edhe gjatë protestës studentore të viteve 2018-2019. Në fillim Demalia nuk ishte tallës, madje u shkruante studentëve të mos ndaleshin dhe godiste qeverinë. Sapo lëvizja ngeci, toni i tij u kthye. Në një shkrim të 7 shkurtit 2019 te Panorama, ai e pagëzoi gjithçka "protestë hidrosanitare" për WC e lavamana, e përmblodhi me thënien se u mbars mali dhe polli një mi, dhe i hodhi studentët si flakë kashteje pa artikulim, mendim e strategji. Modeli përsëritet me përpikëri: sapo qytetarët dalin në shesh pa parti në krye dhe lëvizja has vështirësi, dikush ngrihet të shpallë se gjithçka ishte e kotë. Një verdikt që përsëritet fjalë për fjalë në çdo valë nuk është diagnozë e realitetit. Është recetë për dëshpërim, e shkruar para se të mbarojë historia.

Refreni i dytë vjen nga ana e kundërt, dhe është më i rrezikshmi. Quhet retorika e "kryengritjes", dhe i pëshpërit protestuesit se me marshime paqësore nuk është rrëzuar kurrë asnjë pushtet. Analiza më e mprehtë mbi këtë e quan vetë përzierjen e fjalëve "kryengritje" dhe "paqësore" një kurth që prodhon pritshmëri të rreme dhe zhgënjim, sepse i thërret njerëzit për përmbysje dhe njëkohësisht u kërkon të sillen si në një shëtitje simbolike. Largesa mes dy refreneve është iluzion. Njëri të thotë se rruga jote s'vlen sepse je primitiv. Tjetri se rruga jote s'vlen sepse je tepër i butë. Të dy të lënë në të njëjtën pikë, te bindja se paqja nuk të çon gjëkundi.

Pretendimi se protesta po shtyhet drejt një kurthi nuk varet nga leximi i mendjeve. Varet nga një fakt që e shohim me sy. Prej muajsh, vetë kryeministri po ndërton paraprakisht portretin e një lëvizjeje që gjoja do të "meritonte" shtypje. Rama i ka quajtur protestuesit njerëz me ide fashiste. E ka veshur valën si vepër të një lufte hibride, me gisht nga Irani, Rusia dhe rrjete anti-Trump, madje duke qarkulluar një raport të një kompanie amerikane për narrativat online. Ka folur për një turmë që kërkon të linçojë, jo për qytetarë që kërkojnë llogari.

Secila etiketë është një tullë në të njëjtin mur. Quaje lëvizjen fashiste, të drejtuar nga jashtë dhe të etur për linçim, dhe çdo goditje ndaj saj shndërrohet në mbrojtje të rendit e të atdheut, jo në dhunë ndaj njerëzve. Demalia dhe të ngjashmit e ndërtojnë murin nga ana tjetër, duke e zhvlerësuar protestën si zbrazëti primitive, që kur të vijë çasti, shpërbërja e saj të duket si pastrim i një rrëmuje folklorike, jo si shtypje e një kërkese të drejtë. Zëri që përbalt dhe zëri që demonizon punojnë në të njëjtin kantier, edhe pa u takuar kurrë.

Pikërisht këtu mbyllet rrethi. Një lëvizje që goditet pa pushim me mesazhin "je e kotë" ka vetëm dy rrugë për t'i bërë ballë presionit. E para, të lodhet dhe të heqë dorë, dhe pushteti merr fitoren falas. E dyta, të provojë se nuk është e kotë duke u ashpërsuar, dhe nëse ashpërsimi rrëshqet në dhunë, pushteti fiton diçka më të çmuar se qetësia. Fiton alibinë.

Sa mirë do të punonte kjo alibi, e tregon vetë gramatika e imazhit. Një turmë që mban sheshin me dinjitet për javë të tëra prodhon pamje që e turpërojnë qeverinë. Mjafton një shkëndijë, një godinë në flakë, një përleshje me policinë, dhe e gjithë skena mediatike kthehet përmbys brenda një nate. Vëmendja rrëshqet nga kërkesa te metoda, nga ajo që njerëzit duan te mënyra si e kërkojnë. Fjalorin për këtë moment Rama e ka gati prej kohësh. Etiketat fashistë, luftë hibride, turmë linçuese presin vetëm një ngjarje që t'u japë mish e gjak. Provokimi nuk i dhuron pushtetit asnjë argument të ri. Thjesht i vërteton atë që ka përgatitur me muaj.

Ky është thelbi i grackës. Lëvizja e tremb Ramën pikërisht sepse nuk i jep asnjë pamje dhune për t'ia treguar botës. Po t'ia jepte, do të humbiste atë që e bën të veçantë, mbështetjen morale brenda vendit dhe atë institucionale jashtë, dhe kryeministri do të rifitonte tokën që ka humbur. Disiplina nuk është zbukurim i kësaj proteste. Është vetë zemra e forcës së saj.

Përfundimi është i kundërt me atë që këndojnë të dy refrenet. Paqja nuk është dobësia e kësaj lëvizjeje. Është arma e saj më e mprehtë. Një protestë e madhe dhe paqësore e lë shtetin pa justifikim për dhunë dhe e ruan të paprekur mbështetjen ndërkombëtare të fituar me mund. Akti i parë i dhunës do ta zhdukte atë mbështetje brenda një nate dhe do t'i kthente topat e ujit nga akt dhune shtetërore në "përgjigje ndaj kaosit".

Prandaj kushdo që përpiqet ta bindë protestuesin se rruga paqësore s'prodhon asgjë, me talljen e Demalisë ose me retorikën e kryengritjes, po bën, me vetëdije a pa të, të njëjtën punë me njeriun që pret pas kordonit, me autobotin ndezur. E vërteta e këtij çasti është e thjeshtë, dhe e idhët për ata që këndojnë refrenet: rruga e dhunës nuk e rrëzon Edi Ramën. E shpëton. /Pamfleti

rama protesta

2 Komente

  1. A
    Anna Anna

    Një analizë brilante ???????? që të lë pa fjalë!???? Faleminderit shumë artikullshkruesit "Pamfleti"!????????????❤️

    1. A
      AAA

      Plotesisht dakort. Vetem me kaq sa eshte bere , imazhi i Rames eshte bere si zhgaravinat e tij. Kthim mbrapa nuk mund te kete. Edhe mediat po e leshojne pak nga pak. Jashte, kargjozllekut te tij po i shtohet dhe qe eshte eksiq.(i manget). Fundi po vjen , pak me ngadale por i sigurt dhe i hijshem per shqiptaret. Emigrantet tane treguan se jane qytetare te denje te Europes. Falenderime.

      Lini një Përgjigje