TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Qershor 2026, 18:26

Zyrtare/ Hiqet përfundimisht “Final Four”, FSHF ndryshon formatin e ‘Abissnet Superiore’ për 3 sezonet e ardhshme

Shkruar nga Pamfleti
Zyrtare/ Hiqet përfundimisht “Final Four”, FSHF ndryshon
FSHF-Abissnet Superiore

Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar një nga ndryshimet më të rëndësishme institucionale të viteve të fundit në organizimin e kampionatit elitar shqiptar. Duke nisur nga sezoni 2027-2028, Kategoria Superiore do të luhet me 12 skuadra.

Për sezonin e ardhshëm, 2026-2027, do të zbatohen rregulla kalimtare. Skuadra e renditur në vendin e dhjetë do të bjerë direkt nga kategoria, ndërsa ekipi që përfundon në vendin e nëntë do të luajë në ndeshjen “play-out” për mbijetesën.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja përfundimtare e formatit “Final Four”, i cili nuk do të jetë më pjesë e garës për përcaktimin e kampionit.

Sipas formulës së re, pas përfundimit të tre fazave të para të kampionatit, ose 27 javëve, skuadrat do të ndahen në dy grupe. Grupi i parë do të përfshijë ekipet që do të luftojnë për titullin kampion dhe për një vend në garat europiane, ndërsa grupi i dytë do të përbëhet nga skuadrat që do të synojnë të shmangin rënien nga kategoria.

Ndryshimet synojnë rritjen e konkurrencës dhe krijimin e një formati më të balancuar për kampionatin elitar shqiptar në vitet e ardhshme.

Njoftimi i FSHF-së:

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”. Agjenda e mbledhjes përfshinte një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit shqiptar, duke nisur nga ndryshimet në rregulloret e garave dhe formatet e kampionateve, deri te projektet infrastrukturore.

Një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme ishte ndryshimi i formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2026/2027, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kampionateve, ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit dhe përmirësimin e përgatitjes së klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane

Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Formati i ri parashikon zhvillimin e tre fazave të rregullta, me gjithsej 27 javë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe, bazuar në renditjen përfundimtare. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e parë në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.

Katër skuadrat e renditura në vendet e fundit (nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të) do të marrin pjesë në fazën play-out, ku do të luajnë gjithashtu me sistem vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë.

Skuadra e renditur në vendin e fundit në përfundim të fazës play-out do të bjerë automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.

Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.

Ndërsa skuadra tjetër finaliste do të zhvillojë një finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Fituesja e këtij dueli do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”.

Ndërkohë, duke filluar nga sezoni 2027/2028, kampionati “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me gjithsej 22 javë garë.

Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare pas 22 javësh. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.

Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028.

Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës.

Skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë ndeshjen e play-off-it për qëndrimin në kategori ndaj fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë (luhet mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6).

fshf

Lini një Përgjigje