Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj intervistës së kryeministrit Edi Rama për gazetën britanike “Financial Times”, duke e akuzuar këtë të fundit për përdorimin e një gjuhe të papranueshme ndaj shqiptarëve në një media prestigjioze ndërkombëtare.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha tha se dënon deklaratat e Ramës, të cilat sipas tij përbëjnë fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nuk i shkojnë për shtat figurës së një kryeministri.
Kreu i demokratëve e cilësoi sjelljen e Ramës si të papërshtatshme dhe pretendoi se ajo ka shkaktuar reagime negative edhe te të pranishmit gjatë intervistës. Ai gjithashtu e akuzoi kryeministrin për qasje autoritare ndaj vendit dhe qytetarëve.
“Dënoj me forcën më të madhe sharjet e pakualifikueshme që Edi Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare.
U garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Edi Rama ka përdorur në Financial Times ndaj shqiptarëve.
Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, shumë më keq se padrino i Shqipërisë.
Edi Rama konsideron Shqipërinë një sulltanat të kohërave të shkuara, në të cilin vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë.
Edhe prapa diellit të shkojë, shkon si një hajdut i pashoq i kombit të tij. Shkon si njeriu që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë.
Shkoi si një tradhtari i një kombi që bëri gjithçka, kreu gjenocid të kalkuluar ndaj tij për t’i përzënë shqiptarët nga Shqipëria, një armik i egër i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në botë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje