Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat, duke vlerësuar se protestat e vazhdueshme qytetare dhe shqetësimet e ngritura mbi transparencën e qeverisë duhet të trajtohen menjëherë në Parlament.
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, thuhet se protestuesit kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e legjislacionit të njohur si “Paketa e Maleve”, si edhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sipas Partisë Demokratike, këto çështje janë ngritur prej kohësh edhe nga opozita, e cila ka depozituar në Kuvend nisma ligjore që synojnë shfuqizimin e këtyre akteve.
Më herët, Partia Demokratike ka kërkuar gjithashtu zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me Raportin e Komisionit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Lini një Përgjigje