TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Qershor 2026, 21:00

"Ringjallet" Ronaldo/ Portugalia mposht me “manita” Uzbekistanin, CR7 vendos rekordin që Mesi nuk e arrin dot

Shkruar nga Pamfleti
"Ringjallet" Ronaldo/ Portugalia mposht me “manita”
Kombëtarja e Portugalisë

Portugalia ka regjistruar një fitore bindëse 5-0 ndaj Uzbekistanit në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Grupit K, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës së 1/32 të Kupës së Botës.

Në qendër të vëmendjes ishte Kristiano Ronaldo, i cili me dy golat e realizuar jo vetëm që ndihmoi skuadrën e tij të triumfojë, por edhe vendosi një rekord historik. Sulmuesi portugez u bë futbollisti i parë që arrin të shënojë në gjashtë edicione radhazi të Kupës së Botës.

Portugalia e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 6-të, pas një aksioni të shpejtë dhe një asistimi të saktë nga Zhoao Kançelos, Ronaldo u gjend përballë portierit kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.

Vetëm 11 minuta më vonë, portugezët dyfishuan avantazhin. Nuno Mendes realizoi golin e tij të parë në një Kupë Bote, duke ekzekutuar me saktësi një goditje dënimi nga një pozicion qendror dhe duke e çuar rezultatin në 2-0.

Uzbekistani mendoi se kishte rikthyer shpresat në minutën e 29-të, kur Azizjon Ganiev shënoi me një goditje spektakolare nga distanca. Megjithatë, pas verifikimit nga sistemi VAR, goli u anulua për një faull të kryer gjatë ndërtimit të aksionit ndaj Zhoao Kançelos.

Në minutën e 38-të, Portugalia goditi sërish. Bruno Fernandes asistoi për Ronaldon, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për kombëtaren portugeze.

Ky ishte goli i 10-të i CR7 në historinë e Kupës së Botës, ndërsa bilanci i tij total në karrierë ka arritur në 975 gola.

Portugalia vulosi fitoren në minutën e 59-të, kur një krosim i ulët i Bruno Fernandes devijoi gjatë rrugës dhe përfundoi në rrjetën e Uzbekistanit për rezultatin 4-0.

Në minutën e 87-të, i sapofuturi në fushë, Rafa Leao, shënoi golin e pestë. Portugalia fiton 5-0 dhe merr kryesimin e grupit K. Ndeshja tjetër e këtij grupit mes Kolumbisë dhe Kongos do të luhet nesër në orët e para të mëngjesit.

Në ndeshjet e fundit, Portugalia do të përballet me Kolumbinë, ndërsa Uzbekistani do të luajë ndaj Republikës Demokratike të Kongos.

portugalia uzbekistani kupa e botës

Lini një Përgjigje