TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Qershor 2026, 11:06

Si e ka ndryshuar Donald Trump mënyrën se si zhvillohet diplomacia

Shkruar nga Nicholas Westcott
Si e ka ndryshuar Donald Trump mënyrën se si zhvillohet diplomacia
Macron-Trump

Diplomacia e epokës Trump ka sfiduar shumë prej normave tradicionale të marrëdhënieve ndërkombëtare. Duke favorizuar marrëveshjet personale, demonstrimin e forcës dhe komunikimin publik përmes mediave sociale, Trump ka ndërtuar një model të ri diplomatik që shpesh anashkalon institucionet dhe aleancat tradicionale.

Negociatat për t’i dhënë fund tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat kulmuan me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi më 17 qershor, përbëjnë një provë të rëndësishme për mënyrën se si Donald Trump e koncepton diplomacinë. Çfarë na tregojnë ato? Dhe a ka ndryshuar vërtet Trump mënyrën se si zhvillohet diplomacia në botë?

Kur mori detyrën për mandatin e tij të dytë presidencial në janar 2025, Trump deklaroi se synonte të ishte njëkohësisht “ndërtues paqeje” dhe mbrojtës i një politike të jashtme “Amerika e Para”, e fokusuar në shmangien e luftërave dhe sigurimin e përfitimeve të drejtpërdrejta për SHBA-në.

Deri në nëntor 2025, ai pretendonte se kishte zgjidhur tetë konflikte të mëdha nëpër botë. Në janar të këtij viti, pas largimit të detyruar të Nicolás Maduro-s nga presidenca e Venezuelës dhe vendosjes së Delcy Rodríguez si pasardhëse më miqësore ndaj SHBA-së, zëvendësshefi i stafit të Trumpit, Stephen Miller, deklaroi për CNN:

“Mund të flisni sa të doni për mirësjelljen diplomatike dhe gjithçka tjetër. Por ne jetojmë në një botë reale, e cila qeveriset nga forca, nga fuqia dhe pushteti”.

Megjithatë, konflikti me Iranin tregoi përplasjen e diplomacisë trumpiane me një realitet që jo gjithmonë i nënshtrohet vullnetit të Uashingtonit apo demonstrimeve të forcës amerikane. Bota reale doli të ishte shumë më komplekse sesa kishte parashikuar Trump.

Pesë shtyllat e diplomacisë së Trumpit

Deri më tani, qasja e Trumpit ndaj diplomacisë është karakterizuar nga pesë elemente kryesore.

Së pari, ai shmang institucionet tradicionale diplomatike. Departamenti i Shtetit është lënë në hije, ndërsa Kombet e Bashkuara shpesh janë injoruar. Aleancat tradicionale, organizatat shumëpalëshe dhe forumet ndërkombëtare shihen me mosbesim, përveç rasteve kur i ofrojnë Trumpit një skenë për të demonstruar fuqinë e tij dhe për të diktuar axhendën.

Në vend që të mbështetet te ambasadorët apo diplomatët profesionistë, ai preferon një grup të vogël emisarësh personalë të besuar, si dhëndri i tij Jared Kushner, investitori Steve Witkoff dhe biznesmeni libano-amerikan Massad Boulos. Edhe Marco Rubio, si Sekretar Shteti dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, ka pasur një rol relativisht të kufizuar.

Së dyti, diplomacia e Trumpit është thellësisht personale. Ai preferon të negociojë drejtpërdrejt me liderët e tjerë, në marrëdhënie që i konsideron “burrë më burrë”, por vetëm me ata që respekton.

Në këtë kategori bëjnë pjesë figura si Xi Jinping, Vladimir Putin, Benjamin Netanyahu dhe herë pas here Mohammed bin Salman. Ndërsa me udhëheqës të tjerë, si Volodymyr Zelensky apo Cyril Ramaphosa, ai ka treguar shpesh prirje për të theksuar publikisht epërsinë e tij politike.

Së treti, Trump e sheh fuqinë kryesisht si produkt të forcës ushtarake dhe potencialit ekonomik. Ai është i gatshëm t’i përdorë të dyja për të arritur atë që e konsideron një marrëveshje të favorshme për Amerikën.

Apelimet ndaj parimeve, të drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut apo vlerave demokratike kanë humbur rëndësinë që kishin në diplomacinë tradicionale amerikane. Po ashtu, ai ka treguar gatishmëri për të vepruar i pari dhe për të negociuar më vonë, qoftë përmes tarifave tregtare apo ndërhyrjeve ushtarake.

Së katërti, komunikimi publik është një element thelbësor. Për Trumpin ka rëndësi se si veprimet e tij perceptohen nga media, mbështetësit e lëvizjes MAGA, tregjet financiare dhe opinioni ndërkombëtar.

Përdorimi i platformës së tij Truth Social për të zhvilluar negociata publikisht përfaqëson të kundërtën e diplomacisë tradicionale, ku luajnë një rol qendror kanalet sekrete, negociatat konfidenciale dhe ndërmjetësit e besuar. Aftësia e tij për të dominuar ciklin e lajmeve i ka dhënë avantazh, por negociatat me Iranin treguan se kjo strategji ka kufijtë e saj kur deklaratat optimiste nuk përputhen me realitetin.

Së fundi, Trump është i përqendruar pothuajse ekskluzivisht te rezultatet afatshkurtra. Koncepte si “durimi strategjik”, që kërkojnë kohë, vetëpërmbajtje dhe planifikim afatgjatë, nuk duket se bëjnë pjesë në filozofinë e tij politike.

Për të, më e rëndësishme është shpallja e një fitoreje, e një marrëveshjeje apo e një paqeje, sesa zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm i saj. Marrëveshja për Gazën e vitit 2025 mbeti e bllokuar, ndërsa lufta në Ukrainë, që ai premtonte ta zgjidhte brenda 24 orësh, vazhdon ende.

Lufta me Iranin zbuloi dobësitë e modelit Trump

Konflikti me Iranin sfidoi drejtpërdrejt modelin diplomatik të Trumpit dhe nxori në pah kufizimet e tij. Pavarësisht goditjeve ndaj udhëheqjes iraniane, bombardimeve mbi objektet bërthamore dhe sanksioneve ekonomike, Teherani nuk u dorëzua. Përkundrazi, sfidoi SHBA-në të përfshihej në terren, kërcënoi ekonominë globale përmes ngushticës së Hormuzit dhe goditi aleatët amerikanë në Gjirin Persik.

Irani refuzoi të negocionte me emisarët e Trumpit, duke argumentuar se ishte tradhtuar dy herë gjatë proceseve të mëparshme negociuese. Po ashtu, ekspozoi si të pavërteta deklaratat e vazhdueshme të presidentit amerikan se marrëveshja ishte pranë ose se fitorja ishte siguruar.

Rrjedhimisht, Trump u detyrua të mbështetej te ndërmjetës të tretë, si Pakistani dhe Katari, për të negociuar me regjimin iranian. Edhe pse vazhdoi të shmangte Kombet e Bashkuara, ai zbuloi se nuk mund të arrinte gjithçka vetëm përmes presionit dhe forcës.

A do të ndryshojë qasje Trump?

Përgjigjja është njëkohësisht po dhe jo. Trump nuk është i kufizuar nga një ideologji e ngurtë dhe mund të ndryshojë drejtim në çdo moment nëse e konsideron të nevojshme. Megjithatë, mosbesimi i tij ndaj multilateralizmit dhe diplomacisë tradicionale ka gjasa të mbetet i pandryshuar.

Ndërkohë, pjesa tjetër e botës po përshtatet me këtë realitet të ri. Disa vende po kërkojnë figura të afta për të ndikuar te presidenti amerikan, të ashtuquajturit “pëshpëritës të Trumpit”, si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Të tjera po emërojnë të dërguar të posaçëm për të komunikuar me njerëzit e rrethit të tij të ngushtë. Edhe Britania ka ndjekur këtë rrugë përmes këshilltarit të sigurisë kombëtare Jonathan Powell, i cili luajti një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë.

Ndërsa diplomacia dypalëshe po zëvendëson gjithnjë e më shumë formatet shumëpalëshe, vendet e vogla rrezikojnë të mbeten jashtë proceseve vendimmarrëse. Megjithatë, samitet e fundit të Trumpit me Vladimir Putin dhe Xi Jinping nuk prodhuan rezultatet e pritura. Ai kaloi më shumë kohë në samitin e fundit të G7 sesa në takimet e ngjashme të së kaluarës.

Në fund të fundit, presidenti amerikan ka filluar ndoshta të kuptojë se edhe superfuqitë kanë nevojë për miq./Përshtati "Pamfleti", nga “The Conversation”

Shënim: Nicholas Westcott, është profesor i Praktikës së Diplomacisë, Departamenti i Politikës dhe Studimeve Ndërkombëtare, SOAS, Universiteti i Londrës.

Lini një Përgjigje