TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Qershor 2026, 13:41

Dështon aksioni në Fushë-Krujë, Ylli Zalla i arratiset RENEA-s; 49-vjeçari në kërkim për atentatin në Rinas

Shkruar nga Pamfleti
Dështon aksioni në Fushë-Krujë, Ylli Zalla i arratiset
I kërkuar për arsenal armësh, Ylli Zalla arratiset sërish

Policia e Tiranës në bashkëpunim me RENEA-n kanë zhvilluar gjatë orëve të një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e 49-vjeçarit Ylli Zalla, i cili konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Por edhe këtë herë,  Zalli i ka shpëtuar arrestimit, pasi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, pavarësisht informacioneve të marra për vendndodhjen e tij. Nga kontrolli sërish policia ka gjetur një pistoletë, e cila dyshohet se i përket atij.

Në kërkim policor ka qenë i shpallur edhe vëllai i tij për llogari të Policisë së Lezhës, por burime bëjnë me dije se më vonë është lënë i lirë.

Ylli Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas. Zalla dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Më 20 shkurt të këtij viti, policia zbuloi një tjetër arsenal armësh në fshatin Zall që dyshohet se i përkisnin 49-vjeçarit.

Ndërkohë 12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë.

Kush ëdhtë Ylli Zalla

Ylli Zalla është shpallur në kërkim, pasi dyshohet të ketë lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas më 11 nëntor 2025, kur u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë shoku i tij, Muçi Shaljani (Sheqeri) që humbi jetën në spital.

Pas ngjarjes Policia e Tiranës ka zhvilluar kontrolle në Fushë Krujës, në fshatin Zall të Niklës ku është zbuluar një banesë ku mbahej një arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.

Ato i përkasin 48-vjeçarit Ylli Zalla, i cili është shpallur në kërkim. Policia thotë se ai po hetohet edhe për lidhjen e mundshme që mund të ketë patur në ngjarjen e ndodhur në Rinas.

Sa i përket municioneve të sekuestruara mund të përshkruhen si një arsenal tipik ushtarak. Kjo për arsye se në banesë u gjetën: tre kallëpe tritol, 12 granata dore sulmuese, lëndë plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolle detonatorë, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina), tre ndezës granatash, kapsollë detonatorë, dy automatikë, dy pushkë, tetë krehra, pjesë armësh, 6 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm, pesë celularë dhe 2 kilogramë e 25 gramë kanabis.

Pse dyshohet 49-vjeçari për atentatin në Rinas?

Ylli Zalla dyshohet se ka ndihmuar autorët në ngjarjen e rëndë që ndodhi më 11 nëntor.

Më konkretisht, dyshohet se ai ka furnizuar atentatorët e Rinasit. Njëkohësisht hetuesit dyshojnë se nga banesa në fjalë ka dalë automjeti i përdorur në atentat një makinë tip “Toyota” që u dogj në fshatin Halil.

Sipas informacioneve, rezulton që 48-vjeçari të ketë një “kartelë të pasur” me problematika të ndryshme me ligjin. Zalla është arrestuar më herët për posedim të municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse. Po ashtu rezulton i skeduar edhe për rekrutim të shqiptarëve që i kanë dërguar për të luftuar me ISIS-in. Ndërsa disa vite më parë Ylli Zalla ka kërcënuar pronarin e një fabrike në Fushë Krujë.

Çfarë ndodhi më 11 nëntor?

Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) sapo ishin kthyer nga Barcelona kur ndaj tyre u krye një atentat mafioz pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit. Për pasojë, Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani i plagosur rëndë i cili humbi jetën në spital. Ky i fundit rezultoi më vonë të ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Autorët pas krimit shkuan në fshatin Halil ku dogjën mjetin. Prej aty, gjurmët e tyre janë zhdukur.

 

i kërkuar për arsenal armësh

Lini një Përgjigje