TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia23 Qershor 2026, 13:42

"Sekseri" i Kadastrës Durrës, Ervin Krymbi, njeriu që kthen vilat në magazina dhe legalizon katet pa leje, duke sfiduar hapur KKT-në e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
"Sekseri" i Kadastrës Durrës, Ervin Krymbi, njeriu që
Ervin Krymbi/

Ervin Sh. Krymbi, "sekseri" i Durrësit, është njeriu që i kthen vilat luksoze në magazina në letër dhe legalizon katet pa leje për ndërtimet e reja, duke anashkaluar vendimet e KKT-së me një shpërfillje të hapur, ndërsa tarifat variojnë nga 3 deri në 15 mijë euro të paguara vetëm në cash, me bashkëpunëtorë brenda Kadastrës dhe lidhje me grupet kriminale të Durrësit dhe Kavajës.

Në Durrës, në korridoret e Kadastrës, një emër përmendet shpesh me zë të ulët: Ervin Sh Krymbi. 47 vjeç, vendas i qytetit bregdetar, Krymbi ka fituar nofkën "sekseri" jo për ndonjë aftësi të veçantë teknike, por për aftësinë për të zgjidhur çështjet që në letër duken të pazgjidhshme. Në qendër të vëmendjes janë dy skema kryesore që lidhen me emrin e tij.

Çështja e parë ka të bëjë me destinacionin e pronave. Pronarë të ndryshëm në zonat bregdetare, sipas denoncimeve, i janë drejtuar Krymbit për të regjistruar vilat dhe banesat e tyre si magazina apo objekte industriale. Ky ndryshim destinacioni në dokumentacion u mundëson atyre të shmangin taksat e larta dhe të kalojnë pa u ndeshur me ndalesat urbanistike. Ajo që shihet nga jashtë si një vilë luksi, në dosjet zyrtare të Kadastrës paraqitet si një depo bujqësore.

Skema e dytë ka të bëjë me ndërtimet e reja që po nisin këtë vit në Durrës. Lejet për këto ndërtime janë dhënë për një numër të caktuar katesh, por pronarët inkurajohen të ngrenë më shumë se sa lejohet. Me njohjen e sekserit Krymbi, leja nuk paraqet problem. Ai anashkalon vendimet e KKT-së, të Edi Ramës duke i shpërfillur sikur shteti të ishte vetë ai. Premtimi i tij është i thjeshtë: ndërtojeni më shumë, dhe më pas ai do të kujdeset për legalizimin e asaj që është ndërtuar jashtë parametrave. Kjo praktikë ka nxitur një valë shtesash të paligjshme në hotele dhe ndërtesa të reja të qytetit.

Ervin Krymbi disponon edhe një listë çmimesh e pa shkruar askund, por e njohur nga shumëkush, në Durrës. Për legalizimin e një kati shtesë, tarifat lëvizin nga 10 deri në 15 mijë euro, duke u rritur sa më afër bregdetit. Azhornimet në hartë kushtojnë nga 3 deri në 5 mijë euro. Pagesat bëhen në cash, pa asnjë faturë, ose në disa raste me apartamente apo njësi tregtare që regjistrohen në emra të familjarëve. Paratë nuk kalojnë kurrë nëpër llogari bankare.

Për të realizuar këto skema, Krymbi nuk vepron i vetëm. Sipas informacioneve, ai ka bashkëpunuar ngushtë me disa drejtues të Kadastrës së Durrësit, emrat e të cilëve përmenden në denoncime: Arben Isaku, Artur Çobani, Liridon Pula dhe Ardian Iljazaj. Këta persona dyshohet se kanë qenë pjesë e zinxhirit që përpunon dokumentacionin dhe lejon kalimin e skemave.

Emri i Ervin Krymbit është lidhur konkretisht me zonat kadastrale 8513 dhe 8512. Në këto zona janë kryer legalizime të shumta ndërtimesh pa leje. Këto janë dy raste që kanë dalë në dritë, por dyshohet se veprimtaria e tij shtrihet edhe më tej. Denoncime të ngjashme kanë filluar të vijnë edhe nga Saranda, Elbasani dhe Tirana Rurale, duke treguar një model të përsëritur në disa zona të vendit.

Burime për Pamfletin bëjnë me dije se Ervin Krymbi njihet si "sekseri" i disa grupeve të fuqishme kriminale në Durrës dhe Kavajë. Lidhje këto për të cilat do të flitet në vijim... /Pamfleti

 

ervin krymbi kadastra durres sekseri

Lini një Përgjigje