TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 20:17

Diaspora sërish në shesh, protestuesi: Më 4 korrik emigrantët zbarkojnë në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Diaspora sërish në shesh, protestuesi: Më 4 korrik

Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të martë përpara Kryeministrisë në protestën e tyre të 24-t radhazi, duke ritheksuar kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Tubimi, i cili nisi fillimisht si një reagim kundër projektit në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike. Edhe në ditën e 24-t, protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre kryesore, duke nisur me dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.

Gjatë fjalimeve të mbajtura para protestuesve, organizatorët deklaruan se mobilizimi nuk do të ndalet dhe se protestat do të vijojnë edhe në javët në vazhdim.

Një nga momentet që u prit me duartrokitje nga të pranishmit ishte njoftimi për rikthimin e diasporës shqiptare në protestë.

Sipas organizatorëve, pas mesazheve të shumta të mbërritura nga emigrantët shqiptarë, më 4 korrik pritet një pjesëmarrje e gjerë e diasporës në Tiranë.

“Kam një njoftim. Qëndrestarët dolën me disa pika. Kemi marrë shumë mesazhe nga diaspora dhe më datë 4 korrik e gjithë diaspora do të jetë këtu”, deklaroi një nga folësit gjatë protestës.

Organizatorët e konsideruan këtë si një moment të rëndësishëm për lëvizjen qytetare, duke theksuar se mbështetja e shqiptarëve jashtë vendit po rritet nga dita në ditë.

Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë të mblidhen çdo ditë para Kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa 4 korriku pritet të jetë një nga datat kyçe të mobilizimit, me pjesëmarrjen e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Lini një Përgjigje