
Protesta e 24-t masive ka nisur këtë të martë në Tiranë, ku qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë.
Protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama, teksa theksojnë se kjo është një kërkesë e panegociueshme. Tubimi konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme të mobilizimit qytetar pas javësh të tëra protestash të njëpasnjëshme në kryeqytet dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, protesta ka tejkaluar tashmë kërkesat fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Në tubim janë vënë re edhe pjesëmarrës nga diaspora shqiptare. Një qytetar i ardhur nga Shtetet e Bashkuara tha se kishte udhëtuar posaçërisht për t'iu bashkuar protestës dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.
“Jetoj në Amerikë prej 18 vitesh. Këtu kam ardhur vetëm si qytetar për t’ju bashkuar popullit dhe për ti përzënë këta që vetëm kanë vjedhur. Sot në Financial Times ai e ka sharë popullin shqiptar. Unë kam ardhur vetëm për protestën. Kryeministri duhet të shohë se sa njerëz janë në shesh… Ne merremi vetëm me një kërkesë të panegociueshme. Dorëheqjen e kryeministrit dhe një qeveri teknike që populli shqiptar të ketë zgjedhje të lira…”, tha ai.
Pjesëmarrja e diasporës po shihet nga protestuesit si një tregues se pakënaqësia ndaj qeverisë shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë dhe prek edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Lini një Përgjigje