Nga thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës te mesazhet për "Shqipërinë e Re", protestuesit zgjodhën pankartat si formën më të drejtpërdrejtë për të shprehur pakënaqësitë e tyre
Përveç fjalimeve dhe marshimit drejt Kryeministrisë, protesta e 20-të kundër qeverisë u karakterizua edhe nga një numër i madh pankartash, të cilat përcollën mesazhe politike, sociale dhe ironike.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishin: "Shit Zeqinenë po deshe, jo Zvërnecin", "Kur ti fshihe vjedhjet, nënat tona fshijnë lotët te pragu i derës o Ramë!!!", "Rama ik", "Pranë njëri-tjetrit jemi më të fortë edhe se një Benz 240", "Shes Opel Corsa, jam që jam po hedh dhe qeverinë...",

"Edi Rama, kërko falje. Sovrani s'pranon tallje", "Life is too short to spend it with the same politicians", "Qëndro deri në rrëzim! Ndërkohë që Rama përpëlitet... Diskutojmë një ide tjetër për Shqipërinë e Re?", "Na quan sorra dhe korba, ne jemi populli" etj.

Pankartat pasqyruan një gamë të gjerë shqetësimesh dhe qëndrimesh, duke filluar nga kundërshtimi i projekteve të caktuara në zonat bregdetare, kritikat ndaj qeverisjes, deri te kërkesat për ndryshim politik dhe përfshirje më të madhe qytetare.

Një pjesë e tyre përdornin humorin dhe ironinë për të përcjellë mesazhin, si pankarta "Shes Opel Corsa, jam që jam po hedh dhe qeverinë", e cila u fotografua dhe u shpërnda gjerësisht mes protestuesve. Ndërkohë, mesazhi "Pranë njëri-tjetrit jemi më të fortë edhe se një Benz 240" u kthye në një simbol të solidaritetit dhe bashkimit mes pjesëmarrësve.

Në pankarta të tjera dominonin thirrjet politike, ku kërkohej largimi i kryeministrit Edi Rama. Mes tyre spikati edhe slogani: "Edi Rama, kërko falje. Sovrani s'pranon tallje", i shoqëruar me simbolin e grushtit të ngritur.

Nuk munguan as mesazhet kundër klasës politike në tërësi. Një pankartë në gjuhën angleze mbante shkrimin: "Life is too short to spend it with the same politicians", e shoqëruar me fotografi të figurave të njohura politike të kryqëzuara me shenjën "X".

Një tjetër pankartë që ngjalli interes ishte ajo me kod QR dhe thirrjen për vetorganizim, ku protestuesit ftonin qytetarët të diskutonin alternativa për atë që e quanin "Shqipëria e Re".

Pankartat u shoqëruan me flamuj kombëtarë, thirrje përmes megafonëve dhe brohoritje të vazhdueshme gjatë marshimit nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.

Protesta e 20-të u zhvillua nën moton "Dorëheqje pa kushte", ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e aksionit qytetar edhe në ditët në vijim. Sipas aktivistit Arben Kola, protestës pritet t'i bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, ndërsa për nesër është paralajmëruar një protestë kombëtare.
Lini një Përgjigje