Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po shqyrtohet çështja penale e ngritur ndaj saj nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Bufit me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale të “përdorimit të detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore”, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg duke e konvertuar atë në 2 vite shërbim prove.
Sipas dosjes hetimore, kryebashkiakja socialiste akuzohet se ka ushtruar presion ndaj një qytetari, duke i kërkuar të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos angazhohet në aktivitete politike të forcave të tjera.
Hetimi nisi pas publikimit në media, më 6 maj të vitit 2023, të një regjistrimi audio që dokumentonte një bisedë mes Bufit dhe shtetasit G.B. Në qendër të diskutimit ishte një program social i Bashkisë Roskovec për përmirësimin e kushteve të banimit, nga i cili përfitonte qytetari në fjalë.
Sipas SPAK, para takimit me kryebashkiaken, punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kishin ndërhyrë në objektin e G.B., duke i kërkuar ndërprerjen e punimeve për ndërtim pa leje.
Prokuroria pretendon se gjatë takimit, Bufi i ka përmendur qytetarit mbështetjen që institucioni i kishte dhënë dhe komunikimet ku ai shprehte preferenca për kandidatin e opozitës. Sipas akuzës, ajo i ka kërkuar që deri në përfundim të zgjedhjeve të mos fliste publikisht dhe të mos paraqitej në votime.
SPAK vlerëson se kjo kërkesë është bërë në kushte presioni dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarit. Megjithatë, sipas hetimit, shtetasi G.B. mori pjesë dhe ushtroi të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Procesi ndaj kryebashkiakes së Roskovecit vijon në GJKKO, ndërsa gjykata pritet të shprehet mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Lini një Përgjigje