TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 11:28

GJKKO gjobit Kryemadhin dhe avokatin e Metës

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO gjobit Kryemadhin dhe avokatin e Metës
Gjyqi Meta-Kryemadhi

Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi është zhvilluar mes tensioneve dhe ndërprerjeve të përsëritura.

Gjatë procesit, trupi gjykues vendosi të ndëshkojë me gjobë Monika Kryemadhin dhe avokatin e saj, Kujtim Cakrani, për shkak të ndërhyrjeve të bëra pa lejen e gjykatës gjatë zhvillimit të seancës.

Sipas vendimit të gjykatës, Kryemadhi dhe Cakrani u gjobitën me nga 10 mijë lekë secili, me argumentin se kanë cenuar solemnitetin dhe mbarëvajtjen normale të seancës gjyqësore.

Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi vijoi këtë të enjte me leximin e kërkesës për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mësohet se gjatë paraqitjes së provave, prokurori Sotir Kllapi deklaroi se nga verifikimi i llogarive bankare të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) ka rezultuar se, nga rreth 416 mijë dollarë të raportuara nga kompania lobuese GSIS, vetë LSI ka paguar 93 mijë dollarë.

Sipas prokurorit, hetimet janë përqendruar edhe te shërbimet që kompania GSIS ka ofruar për LSI-në. Ai tha se kompania ka deklaruar se në periudha të ndryshme ka organizuar takime për Ilir Metën me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera amerikane, përfshirë sektorin e bujqësisë.

Kllapi shtoi se janë konstatuar pagesa të kryera edhe përtej afatit tremujor të parashikuar në kontratë dhe se kompania kishte dërguar disa persona në Shqipëri në kuadër të angazhimeve të saj, për aktivitetin e të cilëve janë kryer verifikime nga organi i akuzës.

Sipas SPAK-ut, përveç takimeve zyrtare, gjatë vizitave të tij në Shtetet e Bashkuara, Ilir Meta ka zhvilluar edhe takime të tjera që, sipas prokurorisë, lidhen me shërbimet e ofruara përtej periudhës kontraktuale.

Lini një Përgjigje