TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2026, 11:37

“O Zoti Bideja”, Noka dhe deputetët e PD-së nuk lejojnë Bido të flasë, ndërpritet seanca

Shkruar nga Pamfleti
“O Zoti Bideja”, Noka dhe deputetët e PD-së nuk
Deputetët e PD

Seanca plenare në Kuvend u përfshi nga tensione, duke detyruar drejtuesin e saj, Niko Peleshi, të ndërpresë punimet dhe të japë pesë minuta pushim.

Situata u krijua pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe nuk lejuan deputetin socialist Ardit Bido të mbante fjalën e tij.

Përplasjet nisën pas një replike të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me deputeten demokrate Ina Zhupa. Në fjalën e tij, Balla deklaroi:

“Nëse ka një fitore të këtyre protestave, është fakti se deri më tani paqësore, pa molotovë, pa dhunë dhe mbi të gjitha i morën sheshin atij atje, ia morën. Çdo të hënë me krushqit me 40-50 veta, ua morën.

Ti je humbësi i madh këtu Sali. Sa i përket amendamentit 17 të propozuar nga Deputetët e Gjelbër. Ju keni votuar kundër në PE, sepse partia Popullorë Europiane, ku merrni pjesë, votoi kundër. Po ashtu, edhe Partia Konservatore. Ne kemi votuar pro në PE, ju keni votuar kundër. Kjo është e vërteta”, u shpreh Balla.

Pas deklaratave të Ballës, deputetët e PD-së kërkuan të drejtën e replikës, por kërkesa u refuzua nga drejtuesi i seancës.

“Nuk ka replikë mbi replikë, kjo është rregullorja që e keni miratuar vetë. Uluni të vazhdojmë seancën. Gjeni një arsye tjetër për ta prishur seancën, sepse kjo nuk qëndron”, tha Peleshi.

Më pas, deputetët demokratë u grumbulluan përpara foltores dhe refuzuan të largoheshin, duke penguar vijimin normal të seancës. Në momentin kur Ardit Bido mori fjalën për procedurë, ai u bllokua nga deputetët e opozitës, të cilët nuk e lejuan të vazhdonte.

Gjatë tensioneve, deputeti Flamur Noka i mbajti një fletë përpara fytyrës Bidos dhe iu drejtua me thirrjen: “O zoti Bideja”.

Për shkak të situatës së krijuar dhe pamundësisë për të vijuar normalisht punimet, Niko Peleshi vendosi të ndërpresë seancën dhe të shpallë pesë minuta pushim.

 

Lini një Përgjigje