TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 07:37

Trump flet si perandor: Lufta me Iranin zbuloi se pushteti im nuk ka kufij, bombat mund të bien sërish

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti amerikan pretendoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj “i mundën plotësisht nga pikëpamja ushtarake” dhe shtoi se edhe memorandumi i arritur “ndoshta përbën një dorëzim pa kushte”. Sipas tij, konflikti shërbeu si provë e fuqisë ushtarake amerikane.

Trump flet si perandor: Lufta me Iranin zbuloi se pushteti im nuk ka kufij,
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar sërish për kritikat se lufta me Iranin zbuloi kufijtë e aftësisë së tij për të ushtruar pushtet, duke deklaruar në një intervistë për Axios se ai vazhdon të besojë se “nuk ka kufij”.

Trump hyri në konflikt duke kërkuar “dorëzim pa kushte” nga Irani, por lufta përfundoi me një memorandum mirëkuptimi me objektiva më të kufizuara. Megjithatë, presidenti amerikan pranoi se kishte negociuar këtë marrëveshje për të shmangur rrezikun që konflikti të çonte në një recesion ekonomik global.

I pyetur nga gazetari Marc Caputo se çfarë kishte mësuar nga lufta lidhur me kufijtë e fuqisë së tij, Trump u përgjigj se “Nuk ka kufij. Ende nuk e kam mësuar atë mësim. E di që ekzistojnë, por nuk ka kufij”.

Presidenti amerikan pretendoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj “i mundën plotësisht nga pikëpamja ushtarake” dhe shtoi se edhe memorandumi i arritur “ndoshta përbën një dorëzim pa kushte”. Sipas tij, konflikti shërbeu si provë e fuqisë ushtarake amerikane.

“Cili vend tjetër mund të realizonte një bllokadë të tillë? Vendosa një bllokadë detare ku asnjë anije nuk arriti të kalonte. Disa u përpoqën, por nuk zgjati shumë”, deklaroi ai.

Megjithatë, Trump pranoi se alternativat ndaj marrëveshjes mund të kishin pasoja shumë serioze. Duke iu përgjigjur kritikave se nuk tregoi ashpërsi të mjaftueshme ndaj Iranit, ai tha se alternativa e vetme do të ishte vazhdimi i bombardimeve për disa javë të tjera.

“Mund të vazhdonim t’i bombardojmë pa mëshirë për dy ose tre javë të tjera. Por çfarë do të fitonim nga kjo? Ngushtica e Hormuzit nuk do të ishte e hapur”, tha ai.

Trump paralajmëroi se mbyllja e kësaj rruge strategjike detare do të kishte pasoja të rënda për tregjet globale të energjisë.

“Nuk do të kishim naftë për muaj të tërë. Kur bien bombat, ai kalim mbyllet automatikisht. Kjo mund të shkaktonte një recesion ekonomik global”, theksoi presidenti amerikan.

Marrëveshja SHBA-Iran

Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM) konfirmoi se bllokada detare ndaj anijeve iraniane dhe porteve është hequr.

Shtetet e Bashkuara vendosën bllokadën detare në mes të prillit, me qëllim që të parandalonin eksportet e naftës iraniane, që janë burimi kryesor i ekonomisë së vendit.

Heqja e bllokadës detare nga Uashingtoni dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, një arterie kyç për furnizimet globale me naftë dhe gaz, janë pjesë e një marrëveshjeje kornizë të nënshkruar më 17 qershor.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se periudha 60-ditore për Shtetet e Bashkuara dhe Iranin që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, ka nisur më 18 qershor, teksa ushtria amerikane konfirmoi se është hequr bllokada detare ndaj Iranit.

Marrëveshja fillestare i jep Uashingtonit dhe Teheranit dy muaj kohë që të arrijnë një marrëveshje të plotë, përfshirë edhe për programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet amerikane ndaj Republikës Islamike.

I pyetur se çfarë do ta ndalonte Iranin që në të ardhmen të posedojë një armë bërthamore, Vance tha se Teheranit do t’i nevojiteshin “shumë para”, pasi Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar “miliarda” dollarë infrastrukturë bërthamore.

Ai tha se SHBA-të e kanë “ngufatur” Iranin ekonomikisht dhe nuk do ta lërë që të dalë nga kjo gjendje “derisa ata të ndryshojnë rrënjësisht sjelljen e tyre”.

“Si do të dukej kjo? Do të nënkuptonte një regjim të vërtetë inspektimesh. Do të nënkuptonte një regjim të vërtetë zbatimi”, tha Vance, duke shtuar se ndryshimi i sjelljes do të përfshinte po ashtu shkatërrimin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit.

Nënpresidenti i SHBA-ve tha gjithashtu se marrëveshja kornizë tashmë po “jep fryte reale për popullin amerikan”, duke shtuar se rreth 12.5 milionë fuçi naftë kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit.

Duke folur për Ngushticën e Hormuzit, Vance tha se Irani nuk ka sulmuar asnjë anije që po kalon nëpër këtë rrugë kyç për dërgesat globale të naftës dhe gazit. Irani e kishte mbyllur ngushticën pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ajrore, që nxitën luftën më 28 shkurt.

Lidhur me mundësinë që Irani të vendosë tarifa në Hormuz, Vance tha se ujërat ndërkombëtare duhet të jenë pa tarifa dhe se Uashingtoni nuk dëshiron që ngushtica të përdoret sërish kundër ekonomisë globale. Ai tha se marrëveshja përfundimtare do të vendosë kushte për ngushticën.

Ai pretendoi se SHBA-të “i kanë të gjitha kartat” në negociata dhe se Irani “duhet të na japë gjëra që janë të rëndësishme” në mënyrë që të marrë përfitime nga marrëveshja e paqes.

Vance pretendoi se programi bërthamor dhe ushtria e Iranit janë “të shkatërruara”, dhe se Irani nuk është në gjendje të “kërcënojë” fqinjët e tij.

Ai tha po ashtu se një pjesë e marrëveshjes fillestare është “keqinterpretuar”, që duket se është referencë për një fond të rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh që Irani mund të ketë qasje si pjesë e marrëveshjes.

Vance shtoi se “asnjë cent i vetëm” nuk do të dërgohet nga Shtetet e Bashkuara drejt Iranit. Teherani do të përfitojë nga marrëveshja vetëm “nëse e respekton plotësisht dhe ndryshon sjelljen e tij”, tha ai.

lufta me iranin pushteti im nuk ka kufij trump

Lini një Përgjigje