TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 08:46

Macron nuk i beson “paqes së Versajës”: Marrëveshja SHBA-Iran në rrezik, Izraeli po ndez sërish fitilin

Shkruar nga Pamfleti

 

Deklaratat e presidentit francez vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë vazhdojnë të mbeten në qendër të shqetësimeve ndërkombëtare.

Macron nuk i beson “paqes së Versajës”: Marrëveshja
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Trump

Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nuk e konsideron të përfunduar plotësisht konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar një ditë më parë në Versajë.

Në një intervistë për France 2, Macron tha se “është gjithmonë më mirë të kesh një marrëveshje sesa një luftë”, por theksoi se ende ekziston mundësia e përshkallëzimit të situatës.

Sipas tij, bota po hyn në një “fazë të re bashkëpunimi dhe dialogu”, e cila mund të ndihmojë në stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe në garantimin e një kalimi më të sigurt të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai shtoi se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në uljen graduale të çmimeve të karburanteve.

Duke komentuar situatën në Lindjen e Mesme, Macron i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të veprojë me “përgjegjësi dhe racionalitet”, duke argumentuar se një operacion i zgjatur ushtarak kundër Hezbollahut në jug të Libanit nuk i shërben interesave të Izraelit.

“Hezbollahu është një rrezik për Izraelin, kjo është absolutisht e vërtetë, por siguria e shtetit hebre nuk mund të garantohet duke pushtuar territorin fqinj”, deklaroi presidenti francez.

Macron tha se do të vazhdojë përpjekjet për të angazhuar bashkësinë ndërkombëtare në mbështetje të ushtrisë libaneze, me synimin që ajo të rikthejë kontrollin mbi territorin e vendit.

Sipas tij, Netanyahu po “rrit ndjenjën e pakënaqësisë dhe dhunës në rajon” përmes veprimeve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban.

Presidenti francez foli edhe për luftën në Ukrainë, ku vlerësoi rezistencën e forcave ukrainase përballë Rusisë. Ai theksoi “guximin e jashtëzakonshëm” të ushtrisë ukrainase dhe aftësinë e saj për të zhvilluar e përdorur dronë në fushën e betejës.

“Ukraina reziston me guxim, kapacitet inovativ dhe kapacitet prodhimi ushtarak që i ka mahnitur të gjithë që nga dita e parë”, u shpreh Macron.

Deklaratat e presidentit francez vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë vazhdojnë të mbeten në qendër të shqetësimeve ndërkombëtare.

Ngërç në negociatat SHBA-Iran

Ndërkohë marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme po kalon një fazë delikate, ndërsa zhvillimet e orëve të fundit kanë sjellë shtyrjen e kontakteve të para të planifikuara në Gjenevë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

Sipas rrjetit libanez Al-Mayadeen, i afërt me Hezbollahun, delegacioni negociator iranian ka shtyrë udhëtimin drejt Zvicrës për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Libanin jugor. Burime të rrjetit bëjnë të ditur se delegacioni ishte përgatitur për nisje dhe për fillimin e raundit të parë të negociatave, të cilat parashikohet të zgjasin 60 ditë, por vendosi të pezullojë udhëtimin në momentet e fundit.

Sipas raportimeve, Teherani kishte informuar më herët Uashingtonin dhe ndërmjetësit se situata në Liban mbetet një element kyç i negociatave dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e bisedimeve. Irani argumenton se operacionet izraelite që shtrihen deri në 10 kilometra brenda territorit libanez përbëjnë shkelje të klauzolës së parë të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe marrëveshjes kornizë.

Pak orë më vonë, edhe Shtëpia e Bardhë njoftoi shtyrjen e udhëtimit të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Gjenevë. Sipas një zëdhënësi të administratës amerikane, vendimi lidhet me “çështje logjistike të pazgjidhura në lidhje me fazën e ardhshme të negociatave”.

“Planet për bisedimet teknike nuk janë finalizuar ende dhe delegacioni amerikan është gati të niset sapo të jetë e mundur. Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Një ditë më parë, Vance kishte bërë të ditur se planifikonte të udhëtonte në Zvicër për të marrë pjesë në procesin e finalizimit të marrëveshjes dhe kishte theksuar se negociatat teknike pritet të nisin gjatë fundjavës, me të në krye të ekipit negociator amerikan.

Megjithatë, pavarësisht shtyrjes së kontakteve të para, tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj marrëveshjes së arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit. Investitorët vlerësuan se marrëveshja mund të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe në normalizimin e flukseve globale të energjisë.

Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 0.68%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 0.78%. Edhe indeksi MSCI Azi-Paqësor shënoi rritje, duke iu afruar niveleve rekord. Klima pozitive u reflektua edhe në Wall Street, ku Dow Jones u rrit me 0.14%, S&P 500 me 1.08% dhe Nasdaq me 1.91%.

Ndërkohë, në tregun e energjisë, çmimet e naftës vijuan rënien. Nafta Brent u stabilizua në 79.63 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane ra në 76.05 dollarë. Analistët vlerësojnë se çmimet po shkojnë drejt humbjeve javore prej rreth 9%, pasi rifillimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit ka ulur ndjeshëm frikën për ndërprerje të furnizimeve globale.

Rihapja e këtij korridori detar konsiderohet vendimtare për tregjet botërore, pasi rreth 20% e konsumit global të naftës dhe një pjesë e madhe e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm kalojnë përmes tij.

Megjithëse tregjet mbeten optimiste, investitorët dhe diplomacia ndërkombëtare presin me interes raundin e ardhshëm të negociatave teknike, ku do të diskutohen çështje kyçe si heqja e sanksioneve ndaj Iranit, programi bërthamor i Teheranit dhe funksionimi afatgjatë i Ngushticës së Hormuzit.

 

negociatat shba-iran n ngërç

1 Komente

  1. v
    vk

    Po ku te lene cifutet! Trump duhet te kete kujdes, se ndryshe do pesoje fatin e JFK-it!

    Lini një Përgjigje