
Protestuesit e akuzojnë kryeministrin për shkelje të Kushtetutës dhe kanë depozituar kallëzim popullor në SPAK për Zvërnecin, Rrjollin, Portin e Durrësit e dhjetëra zona të tjera. Butrintit iu hoqën 300 hektarë, Kalaja e Lëkurësit iu dha trafikantit Andrea Çaushi, 800 hektarë në Karavasta iu dhuruan oligarkut rus Oleg Deripaska. Ndër përfituesit: dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, dhe 'lavatriçja' e Kumbaros, Arben Muçobega...
Parlamenti Europian mbështeti një nga kërkesat e protestuesve, duke i kërkuar qeverisë "Rama" të pezullojë lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe të ndryshojë ligjin me porosi të vitit 2024, nëpërmjet të cilit i hapi rrugë ndërtimeve në këto zona.
Ky rast fakton klientelizmin e kryeministrit Edi Rama, që përbën shkelje të Kushtetutës dhe përdorim të pushtetit për të ligjëruar aferat në funksion të interesave të ndërtuesve të lidhur me të, interesa të cilat i ka mbrojtur duke shpërfillur dhe denigruar protestuesit.
Kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës po shoqërohet me akuza penale ndaj tij, jo vetëm për rastin e ligjit antikushtetues të investimit në Zvërnec, por për shumë afera të tjera ekonomiko-financiare gjatë 13 viteve në pushtet.
Përmbajtja e protestës është kallëzim "popullor" ndaj kryeministrit Edi Rama me fakte konkrete; kallëzim për të cilin, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, Drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho, duhet të urdhërojë nisjen e hetimit kryesisht me indicie për çdo akuzë të bërë publikisht.
Siç filloi kryesisht hetimin për mënyrën e përfitimit të tokës në Zvërnec nga mafiozi Artur Shehu, procedurat e regjistrimit të saj në Kadastër, aktet e shitjes dhe bllokimin e vlerës që investitorët e huaj kanë paguar për blerjen e tokës.
Protestuesit kanë akuzuar Edi Ramën për aferën 140 hektarë tokë në Rrjoll, ku oligarku Bashkim Ulaj ka filluar të ndërtojë dhunshëm resortin me mbështetje të Policisë së Shtetit, megjithëse çështja është nën hetim penal dhe proces gjykimi civil për të drejtën e pronësisë.
Akuzë tjetër penale që protestuesit kanë bërë ndaj kryeministrit Edi Rama është afera me 810 mijë m² tokë shtetërore buzë detit në Portin Detar të Durrësit, e dhuruar me vendim qeverie për kulla, pallate e hotele, mafies arabe të përfaqësuar nga Mohamed Alabbar.
Në Rezolutën e Parlamentit Europian kërkohet anulimi i ligjit të vitit 2024, që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura, por kryeministri Edi Rama ka lejuar ndërtime resortesh, kullash e pallatesh në shumë zona të mbrojtura natyrore, historike, monumente kulture e arkeologjike edhe para miratimit të ligjit klientelist në vitin 2024.
Me vendim të Edi Ramës dhe ministres Mirela Kumbaro, Butrintit iu hoqën 300 hektarë park natyror dhe iu dha oligarkut Idajet Ismailaj e oligarkëve të tjerë, për të ndërtuar komplekse vilash e pallatesh.
Monumenti i Kulturës dhe Historisë "Kalaja e Lëkurësit" në Sarandë i është dhënë në përdorim trafikantit Andrea Çaushi, brenda dhe jashtë të cilit ia ka ndërtuar resort e parking, ndërsa 60 hektarë tokë rrotull kësaj kalaje, Edi Rama ia ka dhuruar trafikantit tjetër Dajlan Avdia, për të ndërtuar pallate e komplekse vilash.
Me Vendimin nr. 6/4, datë 19 prill 2018, kryeministri Edi Rama i ka dhuruar 800 hektarë tokë Ilir Trebickës dhe oligarkut rus Oleg Deripaska në zonën e mbrojtur Laguna e Karavastasë, ndërsa një ditë më pas, me Vendimin nr. 355, datë 20 prill 2018, i dha edhe 131 hektarë tokë, e më 30 dhjetor 2025 i dha 68.8 hektarë të tjerë në këtë lagunë për ferma e resorte.
Sipas të dhënave zyrtare, kryeministri Edi Rama ka dhënë 183 leje ndërtimi për resorte, kulla, pallate e komplekse vilash në 53 zona të mbrojtura në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Berat, Sarandë, Himarë, Lezhë, Pogradec e Shkodër.
Ndër to, i ka dhënë leje ndërtimi për pallate buzë liqenit në Tushemisht dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, dhe ortakut të tij Fatmir Bektashi.
Ndërsa ndërtuesit Arben Muçobega, "lavatriçes" së Mirela Kumbaros, i ka dhënë leje për resorte dhe vila në zonën e mbrojtur bregdetare Gjiri i Llamanit në Porto-Palermo, etj., etj./Pamfleti
Ky e ka bere vjedhjen te ligjshme. Ska veper penale.
Favorizimi, klientelizmi, ndihma ne pastrimin e te ardhurave nga aktiviteti kriminal jane vepra penale qe cke me te.
Cfare pergjigje te japim?!Gadafi ne Libi i jepte shtepi te sapomartuarve etj etj