Me hyrjen në ditën e 19-të, protesta jo vetëm që nuk po zbehet, por po shfaq gjithnjë e më shumë organizim dhe shtrirje në terren
Pas tubimit para Kryeministrisë dhe marshimit në Unazën e Vogël, protestuesit vijojnë aksionin në një tjetër zonë të populluar të kryeqytetit.
Protestuesit kanë vijuar marshimin e tyre në rrugët e Tiranës, duke e zhvendosur tubimin drejt zonës së Komunës së Parisit. Pas qëndrimit para Kryeministrisë dhe lëvizjes përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, qindra qytetarë kanë mbërritur në një prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike.
Me flamuj dhe pankarta në duar, protestuesit kanë përshkuar rrugët kryesore të zonës, ndërsa kanë brohoritur vazhdimisht sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje. “Edi Rama o idiot, shih sa veta jemi sot”, “Edi Rama ka mbaru”, “Edhe Sala ka mbaru”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi” kanë qenë thirrjet më të dëgjuara gjatë marshimit.
Kalimi i protestës në Komunën e Parisit shihet si pjesë e strategjisë së organizatorëve për ta çuar lëvizjen në çdo lagje dhe zonë të kryeqytetit, duke afruar edhe më shumë qytetarë me kauzën e tyre. Ndryshe nga protestat tradicionale të përqendruara në një pikë të vetme, protestuesit po lëvizin vazhdimisht nëpër Tiranë, duke e bërë më të dukshme praninë e tyre.
Banorë të zonës kanë dalë në ballkone dhe pranë bizneseve për të ndjekur marshimin, ndërsa protestuesit kanë vijuar pa ndalesë drejt rrugëve të tjera të kryeqytetit. Edhe këtë mbrëmje, pjesëmarrësit kanë përsëritur se qëllimi i tyre mbetet largimi i Edi Ramës dhe fundi i asaj që e quajnë kastë e vjetër politike.
Me hyrjen në ditën e 19-të, protesta jo vetëm që nuk po zbehet, por po shfaq gjithnjë e më shumë organizim dhe shtrirje në terren. Pas Kuvendit, selisë së Partisë Demokratike, Kryeministrisë dhe tashmë Komunës së Parisit, protestuesit po tentojnë ta shndërrojnë çdo zonë të Tiranës në një tribunë kundër qeverisë dhe politikës tradicionale.
Lini një Përgjigje