Kryeministri publikon pamjet nga diskutimi në Parlament dhe ironizon deputetët e Partisë Mundësia...
Nuk ka vonuar reagimi i kryeministrit Edi Rama pas videos së publikuar nga Agron Shehaj, ku deputeti i Partisë Mundësia tregonte përballjen e zhvilluar me kreun e qeverisë në sallën e Kuvendit.
Pasi Shehaj publikoi pamjet e debatit dhe akuzat e tij ndaj qeverisë, Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet me ironi në rrjetet sociale. Kryeministri ka postuar një video nga momenti i diskutimit në Parlament, të shoqëruar me këngën “Njëri korb e tjetri sorrë”, duke thumbuar Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.
Përveç videos, Rama ka publikuar edhe një mesazh ironik, ku nuk i kursen etiketimet ndaj dy deputetëve.
“Kushedi si rrotullohet në varr i ndjeri Mit’hat Frashëri me këta karagjozë të dalë nga koteci i kokës”, shkruan Rama, duke e shoqëruar postimin me emoji.
Më tej, kryeministri vijon me ironitë ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
“Natën, shijojeni me kë ju do qejfi dhe mos e çani kokën për ulëritësit e rrugëve, se aq u mban koteci të shkretëve”, shkruan ai.
Reagimi vjen vetëm pak orë pasi Agron Shehaj publikoi videon nga Kuvendi. Deputeti i Partisë Mundësia ishte përjashtuar nga seanca plenare pas tensioneve në sallë dhe akuzave ndaj mazhorancës. Megjithatë, pas përjashtimit ai iu afrua kryeministrit Edi Rama së bashku me deputetin Erald Kapri, duke zhvilluar një diskutim të drejtpërdrejtë me të.
Pamjet e publikuara nga Shehaj u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa përgjigjja e Ramës ka ndezur më tej debatin politik, duke e kthyer episodin e Kuvendit në një nga temat më të komentuara të mbrëmjes.
Lini një Përgjigje