TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 11:14

Debate në GJKKO, Meta përplaset me gjykatësin Erion Bani: Jeni ekstremisht i njëanshëm

Shkruar nga Pamfleti
Debate në GJKKO, Meta përplaset me gjykatësin Erion Bani: Jeni
Ilir Meta

Seanca gjyqësore ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, po zhvillohet me debate dhe tensione, ndërsa SPAK vijoi leximin e kërkesës për gjykim.

Prokurori i Posaçëm, Sotir Kllapi, paraqiti detaje nga hetimi lidhur me pagesat e kryera për kompaninë amerikane GSIS, e cila sipas organit të akuzës kishte kontratë me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).

Sipas Kllapit, nga 416 mijë dollarë të raportuara nga kompania, vetëm 93 mijë dollarë rezultojnë të jenë paguar nga llogaritë e LSI-së. Hetimet kanë treguar se GSIS ka siguruar takime të Ilir Metës me zyrtarë të departamenteve amerikane të Drejtësisë dhe Bujqësisë, ndërsa pagesat kanë vijuar edhe përtej afatit tremujor të parashikuar në kontratë.

Prokurori tha se kompania kishte dërguar në Shqipëri persona të kontraktuar prej saj dhe se verifikimet kanë treguar se disa prej shpenzimeve të tyre janë paguar nga biznesmeni Adrian Shatku ose me kartat bankare të tij. Sipas SPAK-ut, kjo përforcon dyshimet se edhe pagesat për llogari të LSI-së në SHBA janë kryer nga i njëjti person.

Nga letërporositë e dërguara në SHBA, hetuesit kanë identifikuar disa llogari bankare të Shatkut. Sipas dokumentacionit të siguruar, GSIS i ka lëshuar LSI-së 18 fatura. Tre prej tyre rezultojnë të paguara nga LSI, ndërsa 12 të tjera nga kompania Unify Com Inc., e lidhur me Adrian Shatkun. Për një shumë prej 93 mijë dollarësh, SPAK deklaroi se nuk disponon të dhëna.

Organi i akuzës pretendon se 279 mijë dollarë janë produkt i korrupsionit dhe se më pas janë paraqitur si pagesa të ligjshme përmes një skeme pastrimi parash.

“Shuma prej 279 mijë USD pretendojmë se janë produkt i korrupsionit, por është gjetur edhe një mënyrë pastrimi e tyre. Ato janë servirur si pagesa të ligjshme, ndërsa janë përfitim i drejtpërdrejtë i korrupsionit”, deklaroi prokurori Kllapi.

Sipas SPAK-ut, Ilir Meta, në cilësinë e ish-kryetarit të LSI-së, ka konsumuar elementët e veprës penale të pastrimit të parave.

Gjatë seancës nuk munguan edhe përplasjet verbale. Meta i është drejtuar gjyqtarit Erion Bani me fjalët: “Jeni ekstremisht i njëanshëm”, pasi pretendoi se nuk po i jepej fjala gjatë relatimit të prokurorit.

Nga ana e tij, gjyqtari Bani iu përgjigj se nëse kishte kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, duhej ta paraqiste sipas procedurës.

“Jeni shumë të mirë. Më e mira prej jush është Irena Gjoka”, u shpreh Meta në sallë.

Ndërkohë, një tjetër ndërhyrje pa leje nga Monika Kryemadhi dhe avokati Kujtim Cakrani solli reagimin e gjykatës, e cila i gjobiti të dy me nga 10 mijë lekë për prishje të solemnitetit të seancës.

Më pas, Kryemadhi ndërhyri sërish pa leje, ndërsa gjykata e paralajmëroi se në rast përsëritjeje nuk do të ketë më gjobë, por përjashtim nga seanca.

debate në gjkko ilir meta

Lini një Përgjigje