TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2026, 15:00

Rikthehen tensionet në Kuvend, opozita bllokon foltoren; Peleshi ndërpret për herë të katërt seancën

Shkruar nga Pamfleti
Rikthehen tensionet në Kuvend, opozita bllokon foltoren; Peleshi
Opozita bllokon foltoren

Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione, debate dhe ndërprerje të përsëritura, ndërsa opozita ka vijuar të bllokojë foltoren në shenjë kundërshtimi.

Megjithëse në rendin e ditës janë parashikuar 21 pika, deputetët nuk kanë arritur të avancojnë përtej pikës së tretë. Shkak është bërë kërkesa e opozitës për ndryshimin e rendit të ditës, në mënyrë që të diskutohet për protestën që po zhvillohet prej 18 ditësh në Tiranë, ndërkohë që në axhendë ishte fjala e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me konferencën e tetë ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe procesin e integrimit.

Pas rikthimit të tensioneve në sallë, drejtuesi i Kuvendit, Niko Peleshi, u detyrua të ndërpresë për herë të katërt punimet dhe të thërrasë një pushim 15-minutësh, duke ftuar kryetarët e grupeve parlamentare për të gjetur një zgjidhje.

Pas rikthimit nga pushimi, situata mbeti e pandryshuar. Deputetët e Partisë Demokratike vijuan të qëndrojnë pranë foltores dhe të kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës.

“Drejtoni ankim te Këshilli i Rregullores dhe jo në seancë. Sa bëjmë gjithë këtë diskutim do kishte ardhur radha para dy orësh. Ju lutem uluni. Ku parashikohet ndërprerja e fjalës dhe punimeve në rregullore, nuk e gjej dot, ku e bazoni këtë kërkesë absurde, ma gjeni në cilën pikë të rregullores thuhet. Do na lini të vazhdojë apo jo, se është pikë përbashkuese, interes i të gjithëve, përtej axhendës politike. Respektoni rregulloren, na lejoni të vijojmë seancën”, tha Peleshi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, e akuzoi drejtuesin e seancës për moszbatim të rregullores.

“Respekto rregulloren, na lejo të flasim, zbato procedurën”, u shpreh Bardhi.

Peleshi iu përgjigj deputetëve opozitarë duke kërkuar lirimin e foltores dhe vijimin e punimeve sipas rregullores.

“Ju lutem, mos hyr në nevojat metabolike, nuk është puna të zgjidhet me folklor kjo punë, jo çdo gjë zgjidhet me folklor. Nuk është në dorën tuaj, nuk merret me dhunë, jo me imponim, nuk merret me imponim fjala, zbatoni rregulloren. Keni bllokuar seancën, lironi foltoren, merreni fjalën pasi të flasë ministri”, deklaroi ai.

Më tej, kryeparlamentari sugjeroi se bllokimi i seancës ishte i organizuar.

“Për çudi e ka bllokuar zoti Bozdo, që s’e ka për natyrë. Zoti Bozdo as ju nuk e besoni, s’e besoni që ka skenar për ta bllokuar. Mos e personalizoni seancën. Edhe në protestë ka një rend, ka një skenar, nuk merret fjala pa radhë. Zoti Bardhi nuk e kuptoni që nuk më kompleksoni dot me këto, u bënë 8 muaj, nuk më kompleksoni dot, ju lutem. Lironi foltoren”, tha ai.

Deputetët e opozitës vijuan ta akuzonin Peleshin se po pengonte zhvillimin normal të seancës.

“Je ti që po prish seancën, zbato rregulloren”, iu drejtuan ata.

Përballë ngërçit të krijuar, Peleshi vendosi të ndërpresë sërish punimet.

“Ashtu… atëherë 15 minuta pushim. Ftoj kryetarët e grupeve parlamentare për të qetësuar dhe zgjidhur situatën, 15 minuta pushim, kryetarët e grupeve ju lutem për një takim të shkurtër”, tha ai, duke pezulluar përkohësisht seancën.

Rikthehen tensionet në Kuvend, opozita bllokon foltoren; Peleshi

rikthehen tensionet në kuvend opozita bllokon foltoren

1 Komente

  1. S
    STUDIO

    teatri i shkerdhatave PS PD LLUMI MAFIOZ 35 VJECAR

    Lini një Përgjigje