Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar jashtë ambienteve të Kuvendit se për heqjen e statusit “non grata” është ndjekur procedura e lobimit, duke sqaruar se nuk ka pasur kontakte me administratën Biden.
Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha tha se lobimi ka qenë mënyra e vetme për të ndjekur çështjen e tij, ndërsa theksoi se sanksioni i vetëm ndaj tij ka qenë ndalimi i vizës.
“Për Sali Berishën kanë lobuar, sepse procedura është lobim. Nuk kam lobuar me administratën Biden. Aty nuk ka procedurë tjetër përveç lobimit. Të vetmin sanksion që kam pasur, ka qenë viza. Janë përpjekur shumë që ta kalonin te Thesari, i cili bëri një hetim të thelluar për mua dhe fëmijët e mi dhe nuk gjetën gjë. Se kush e ka paguar, është një fondacion i cili ndihmon PD-në dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD-së”, tha Berisha.
I pyetur edhe për thirrjet “Berisha në burg”, të dëgjuara gjatë protestave, kreu i PD-së i cilësoi ato si të nxitura nga mbështetës të qeverisë.
Sipas tij, këto thirrje vijnë nga “veglat e qeverisë”.
Lini një Përgjigje