Plani për ndërtime masive në deltën e Vjosë-Nartës ka ndezur një valë të paprecedentë protestash në kryeqytet, të pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove“. Qytetarët dhe aktivistët mjedisorë kërkojnë mbrojtjen e një prej ekosistemeve më të çmuara në Evropë nga modeli i turizmit oligarkik, duke bërë thirrje për transparencë, ligjshmëri dhe zhvillim që pasuron komunitetin e jo vetëm një grusht investitorësh...
Shqiptarët që kundërshtojnë ndërtimin e resorteve luksoze në zonat e mbrojtura ligatinore në jug të vendit janë ngritur zëshëm kundër një modeli turizmi që synon vetëm “elitën” dhe shpërfill nevojat e komuniteteve vendase.
Prej 18 ditësh rresht, rreth 100 mijë qytetarë i janë bashkuar demonstratave në kryeqytet, të nxitura nga planet e bëra publike prej Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, për urbanizimin e Ishullit të Sazanit dhe bregdetit të Zvërnecit.
Gadishulli i Zvërnecit shtrihet brenda deltës së Vjosë-Nartës, një zonë e njohur ndërkombëtarisht si një nga ekosistemet bregdetare më të çmuara në Evropë. Rajoni shërben si habitat për 70 specie në rrezik zhdukjeje - përfshirë fokën e Mesdheut dhe breshkën detare Caretta caretta - si dhe për mijëra shpendë shtegtarë, si flamingot dhe pelikani kaçurrel.
Në fund të majit, gjatë një interviste në podkastin e David Senra, Ivanka Trump konfirmoi se po punonte me bashkëshortin e saj për një projekt gjigant imobiliar, në bashkëpunim me “disa nga arkitektët më të shquar të kohës”.
Sipas organizatave mjedisore, makineritë e rënda dhe buldozerët kanë zbritur në terren në Gadishullin e Zvërnecit ende pa u pajisur me lejet përkatëse dhe pa kryer një vlerësim të mirëfilltë të ndikimit në mjedis, duke e rrethuar ndërkohë zonën me tela me gjemba.
Aktivisti Grigor Malo shprehet: “Ne i kemi parë tashmë pasojat e një zhvillimi të ethshëm dhe të pakontrolluar në zona të tjera të bregdetit, si në Durrës dhe Sarandë. Ato sot konsiderohen kryesisht si dështime që shkatërruan bukurinë e destinacioneve që dikur ishin të preferuara”.
Malo shton se qytetarët janë dyshues ndaj alternativës së “turizmit elitar” të ofruar nga qeveria, pasi shohin se përfituesit e vetëm janë një grup i vogël investitorësh dhe pronarësh të mëdhenj tokash, ndërsa natyra dhe peizazhi po flijohen në emër të ndërtimeve intensive. Ajo që nisi si një protestë mjedisore, e pagëzuar tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, është shndërruar në një revoltë më të gjerë qytetare. Tani protestuesit kërkojnë ndryshim të modelit qeverisës, fundin e korrupsionit dhe reformimin e një sistemi që pasuron një grusht njerëzish në kurriz të shumicës.
Gjatë njërës prej protestave, Arlind Qori, lideri i lëvizjes politike “Lëvizja Bashkë”, sqaroi pozicionin e demonstruesve: “Ne nuk jemi kundër turizmit si parim. Ne jemi kundër këtij modeli që pastron para, që shkel të drejtat e pronësisë së banorëve vendas, që injoron tërësisht mjedisin dhe që pasuron një klikë të ngushtë rreth Kryeministrit, pa sjellë asnjë dobi për ekonominë e vendit”.
Shqipëria, e cila renditet ende në fund të listës evropiane për sa i përket PBB-së për frymë, bart ende plagët e një prej regjimeve komuniste më brutale në histori - atij të Enver Hoxhës, i cili e sundoi vendin përmes terrorit për katër dekada, deri në fillim të viteve 1990.
Sot, turizmi është një shtyllë jetike për ekonominë kombëtare. Në vitin 2025, vendi regjistroi plot 12.5 milionë vizitorë të huaj, një rritje nga 11.7 milionë vizitorë një vit më parë dhe pothuajse dyfishi i shifrave të vitit 2019.
Megjithatë, ky hov i jashtëzakonshëm ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi qëndrueshmërinë afatgjatë dhe ndikimin social e mjedisor te komunitetet lokale. Ariel Brunner, drejtor rajonal i “BirdLife” për Evropën dhe Azinë Qendrore, i cili dëshmoi nga afër zbritjen e buldozerëve në Zvërnec, thekson: “Shqipëria ka shkatërruar tashmë një pjesë të konsiderueshme të vijës së saj bregdetare përmes një zhvillimi kaotik dhe të papërgjegjshëm.
Sidoqoftë, vendi gëzon ende perla natyrore të virgjra, ku delta e Vjosë-Nartës është padyshim më e rëndësishmja. Këto zona duhen mbrojtur me çdo kusht dhe duhen shfrytëzuar me kujdes ekstrem”.
Brunner shton se shqiptarët e duan turizmin, por këmbëngulin që ai të jetë i ligjshëm, transparent, pa korrupsion dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve të thjeshtë, jo vetëm të klientëve të pushtetit.
Ndërkaq, për Melitjan Nezajn, biolog i jetës së egër pranë organizatës PPNEA, mesazhi i shesheve është i prerë dhe i qartë: “Shqiptarët duan zhvillim, por refuzojnë të kthehen në një Dubai të dytë.”/Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje