Sporti shkodran është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të ish-basketbollistit dhe trajnerit të njohur, Fatjon Taraboshi, në moshën 39-vjeçare. Lajmi është bërë publik nga faqja “Pro Shkodra” në rrjetet sociale.
Taraboshi ishte një nga emrat e spikatur të basketbollit shkodran, duke kontribuar për vite me radhë me fanellën e Vllaznisë, ku u shpall disa herë kampion. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai vijoi të mbetet pranë sportit edhe në rolin e trajnerit.
Sipas informacioneve të publikuara, prej disa muajsh ai po përballej me probleme të rënda shëndetësore. Për trajtimin e tij ishte kryer edhe një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale në Itali, ndërsa përballimi i kostove të kurimit kishte nxitur organizimin e një fushate solidariteti.
Vetëm pak javë më parë, Taraboshi ishte vlerësuar publikisht për kontributin e tij të gjatë në basketbollin e qytetit të Shkodrës. Ndarja e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti sportiv dhe qytetarët shkodranë.
Për humbjen e tij ka reaguar edhe presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi:
"Qoftë i xhenetit dhe i përjetshëm kujtimi i tij. U prefsh në paqe, Fatjon."
Mesazhe ngushëllimi janë publikuar gjithashtu edhe nga ekipi i basketbollit Vllaznia, ku Taraboshi do të kujtohet si një sportist që la gjurmë në parket dhe si një figurë e respektuar e sportit shkodran.
Fatjon Taraboshi ishte baba i dy fëmijëve dhe njihej nga të afërmit, miqtë dhe kolegët si një njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe punës. Ndarja e tij e parakohshme përbën një humbje të madhe për sportin dhe komunitetin e Shkodrës.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje