Armando Broja mund të jetë pranë një tjetër transferimi në karrierën e tij, teksa e ardhmja e sulmuesit shqiptar duket larg Bërnlit. Futbollisti i Kombëtares shqiptare vazhdon të tërheqë interesin e disa klubeve jashtë Anglisë, me Italinë dhe Arabinë Saudite që shfaqen si destinacionet më të mundshme.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Kaljari dhe Udineze e kanë vendosur Brojën në listën e përforcimeve për repartin ofensiv gjatë merkatos së verës. Të dy klubet e Serisë A e konsiderojnë sulmuesin shqiptar si një alternativë të vlefshme për të rritur konkurrencën në sulm.
Megjithatë, interesimi për Brojën nuk kufizohet vetëm në kampionatin italian. Portali italian “Sportal.it” raporton se disa klube të Saudi Pro League po ndjekin nga afër situatën e 23-vjeçarit dhe janë të gatshme të paraqesin oferta konkrete për ta bindur të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite.
Klubet saudite konsiderohen në avantazh për shkak të fuqisë së tyre financiare, e cila mund të lehtësojë negociatat me Bërnlin. Klubi anglez investoi rreth 20 milionë euro për të siguruar shërbimet e Brojës nga Çelsi, ndaj çdo transferim i mundshëm do të varet edhe nga kushtet ekonomike të marrëveshjes.
Për momentin, mbetet e paqartë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i sulmuesit shqiptar. Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se largimi i tij nga Bërnli gjatë kësaj vere është një skenar gjithnjë e më i mundshëm.
Lini një Përgjigje