TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Qershor 2026, 18:54

Reali përgatit ofertën rekord, gati 220 milionë euro për t'i "rrëmbyer" Bajernit yllin e ekipit

Shkruar nga Pamfleti
Reali përgatit ofertën rekord, gati 220 milionë euro për
Majkëll Olize

Reali i Madridit po shqyrton mundësinë e një transferimi spektakolar gjatë merkatos së verës. Sipas raportimeve të së përditshmes spanjolle “Marca”, klubi madrilen po përgatit një ofertë prej 220 milionë eurosh për sulmuesin e Bajernit të Mynihut, Majkëll Olize.

Nëse një propozim i tillë konkretizohet, ai do të përbënte transferimin e dytë më të shtrenjtë në historinë e futbollit botëror, pas kalimit të Nejmarit nga Barcelona te PSG-ja për 222 milionë euro në vitin 2017.

Raportimet sugjerojnë se drejtuesit e Realit e shohin Olize si një përforcim strategjik për repartin ofensiv. Objektivi është krijimi i një sulmi edhe më të fuqishëm, ku francezi do t’i bashkohej emrave si Kilian Mbape dhe Vinicius Zhunior.

Sipas të dhënave të portalit “Transfermarkt”, vlera aktuale e kartonit të Olize llogaritet rreth 150 milionë euro. Sulmuesi është nën kontratë me Bajernin e Mynihut deri në verën e vitit 2029, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë në çdo negociatë të mundshme.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga klubet përkatëse lidhur me këtë operacion të mundshëm në tregun e transferimeve.

majkëll olize ylli i bajernit të mynihut reali i madridit

Lini një Përgjigje