TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Qershor 2026, 18:12

Goditet korrupsioni në Federatën Maqedonase të Futbollit, Policia arreston 12 persona; arratisen 5 të tjerë

Shkruar nga Pamfleti
Goditet korrupsioni në Federatën Maqedonase të Futbollit, Policia
arrestimet në Federatën Maqedonase të Futbollit

Një operacion i gjerë i Policisë Financiare dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Maqedoninë e Veriut ka vënë në shënjestër Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM), duke çuar në arrestimin e 12 personave, ndërsa pesë të tjerë vijojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Sipas autoriteteve, mes të dyshuarve ndodhen dy ish-presidentë të Federatës Maqedonase të Futbollit, ish-drejtuesja e sektorit të financave dhe kontabilitetit, si dhe drejtues e pronarë të disa kompanive private që dyshohet se kanë qenë pjesë e skemës. Nën hetim janë përfshirë gjithashtu edhe tetë persona juridikë.

Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin njoftoi se të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Përvetësim në shërbim” dhe “Pastrim parash”, ndërsa hetimet paraprake kanë zbuluar dyshime për keqpërdorim të fondeve të Federatës gjatë viteve 2015–2019.

Sipas dosjes hetimore, ish-presidenti i parë i Fedearatës Maqedonase të Futbollit, në bashkëpunim me drejtuesen e financave, dyshohet se nga 1 janari 2015 deri më 25 korrik 2018 ka përvetësuar 127.4 milionë denarë përmes një sërë veprimesh që synonin përfitime të paligjshme financiare. Ndërkohë, pasardhësi i tij në krye të Federatës dyshohet se ka vazhduar të njëjtën skemë deri më 10 tetor 2019, duke përvetësuar edhe 53.3 milionë denarë të tjera.

Sipas Prokurorisë, ish-drejtuesja e financave ka manipuluar dokumentacionin kontabël të Federatës për të fshehur destinacionin e pagesave. Hetuesit pretendojnë se të dhënat kontabël janë ndryshuar pas kryerjes së pagesave, duke eliminuar referencat për faturat, shërbimet dhe subjektet përfituese, çka ka vështirësuar gjurmimin e lëvizjes së fondeve.

Në dosje thuhet se dy ish-presidentët kanë miratuar dhe nënshkruar gjithsej 728 urdhra pagesash të përgatitura nga sektori financiar pa dokumentacion të plotë dhe pa verifikuar bazueshmërinë e tyre. Sipas autoriteteve, kjo ka mundësuar transferimin e fondeve të federatës drejt kompanive të ndryshme në kundërshtim me rregullat financiare dhe statutin e Federatës Maqedonase të Futbollit

Prokuroria pretendon se kompanitë e përfshira në skemë kanë lëshuar fatura me përmbajtje të pavërtetë për mallra dhe shërbime që dyshohet se nuk janë ofruar realisht. Në bazë të këtyre faturave janë realizuar pagesa nga fondet e federatës.

Sipas hetimit, dëmi i shkaktuar Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut arrin në 180.8 milionë denarë, ndërsa kompanitë përfituese dyshohet se kanë siguruar përfitime të paligjshme financiare. Autoritetet dyshojnë gjithashtu se një pjesë e këtyre fondeve është futur sërish në qarkullim përmes transaksioneve të ndryshme me qëllim fshehjen e origjinës së tyre, duke përbërë bazën e akuzave për pastrim parash.

Gjatë operacionit të zhvilluar të enjten, policia kreu kontrolle në banesa dhe ambiente biznesi në disa lokacione të Shkupit, ku u sekuestruan dokumente, mjete financiare dhe pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Sipas autoriteteve, aksioni është rezultat i një hetimi shumëvjeçar të zhvilluar nga Policia Financiare dhe Qendra Hetimore pranë Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Në këtë dosje përmendet edhe ish-presidenti i FFM-së, Muhamed Sejdini, i cili drejtoi federatën nga viti 2018 deri në vitin 2024. Sejdini është hetuar edhe më herët për çështje që lidhen me ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit dhe në prill të këtij viti u arrestua nga autoritetet maqedonase. Ai dha dorëheqjen nga posti i kreut të federatës në nëntor 2024, ndërsa pas tij në krye të FFM-së u zgjodh Masar Omeragiç.

arrestimet në federatën maqedonase të futbollit prokuroria për krimin e organizuar

Lini një Përgjigje