Granit Xhaka ka hedhur poshtë spekulimet për një largim nga Sandërlendi, duke konfirmuar se do të vazhdojë karrierën te klubi anglez, pavarësisht raportimeve për interesimin e Çelsit dhe trajnerit Çabi Alonso, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë te Bayer Leverkusen.
Mesfushori shqiptar e bëri të qartë vendimin e tij pas fitores së Zvicrës ndaj Kolumbisë në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se prioriteti i tij mbetet familja dhe projekti me Sandërlendin.
“Sandërlendi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam. Gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me ta”, deklaroi Xhaka.
Sandërlendi e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e shtatë në Premier Ligë, duke siguruar një vend në Ligën e Evropës. Drejtuesit e klubit nuk kishin shfaqur gatishmëri për të lejuar largimin e mesfushorit, i cili konsiderohet një nga shtyllat kryesore të skuadrës. Në anën tjetër, Çelsi mbeti jashtë garave evropiane për sezonin e ardhshëm.
Xhaka komentoi edhe suksesin e Zvicrës në Kupën e Botës, pasi kombëtarja helvete siguroi kualifikimin në çerekfinale pas triumfit ndaj Kolumbisë në ekzekutimin e penalltive.
“Ende nuk mund ta besoj plotësisht atë që po ndodh... sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne”, u shpreh ai.
Në fazën çerekfinale të Kupës së Botës, Zvicra do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën e Lionel Mesit.
Lini një Përgjigje