Një nga talentet më të spikatura të këtij Botërori është Jan Diomand, sulmuesi i Bregut të Fildishtë dhe i klubit gjerman Lajpcig. Futbollisti i ri prej kohësh konsiderohet si një nga emrat më premtues të futbollit europian, ndërsa drejtuesit e klubit gjerman i kanë vendosur kartonit të tij një vlerë prej rreth 100 milionë eurosh.
Megjithatë, pas suksesit në fushën e lojës fshihet një histori e dhimbshme personale, të cilën Diomand e ka ndarë në një rrëfim për “The Players’ Tribune”. Ai ka zbuluar se çdo arritje dhe paraqitje e tij i kushtohet motrës së ndjerë, Roksan, e cila humbi jetën tragjikisht në moshën 15-vjeçare.
Në rrëfimin e tij emocional, sulmuesi kujton mbështetjen e pakushtëzuar që motra i dha që në fëmijëri.
“Çdo gjë që bëj, e bëj për ty. A të kujtohet kur dikush më dha një fanellë të rreme të Manchester United dhe unë shkrova me bojë ‘Ronaldo 7’? Ti ishe ajo që gjithmonë besoje se mund të bëhesha Kristiano Ronaldo i ardhshëm, ndërsa të gjithë të tjerët qeshnin”, shkruan Diomand.
Ai kujton gjithashtu momentin kur, pas debutimit me Leganes kundër Realit të Madridit, shkëmbeu fanellën me Kilian Mbape.
“Ti më thoje gjithmonë: ‘Po, Mbape është i mirë, por vëllai im është më i mirë’”, rrëfen futbollisti.
Por pak kohë pas asaj ndeshjeje, jeta e familjes së tij ndryshoi përgjithmonë. Sipas Diomand, motra e tij humbi jetën pasi dyshohet se dikush i kishte hedhur një substancë në pijen e saj gjatë një feste.
“Dikush i hodhi diçka në pije në një festë dhe ajo nuk u zgjua kurrë. Ajo iku. Ishte vetëm 15 vjeçe dhe unë nuk mora kurrë përgjigje”, shkruan ai.
Futbollisti pranon se që prej asaj dite ka jetuar me një dhimbje të vazhdueshme, ndërsa fushën e futbollit e konsideron vendin e vetëm ku arrin të gjejë qetësi.
“Që kur vdiqe, nuk ndiej asgjë. Vetëm në fushë ndihem i qetë dhe mund të flas me ty. Çdo gjë që bëj në fushë, e bëj për ty. E vetmja gjë që mund të bëj është ta përdor këtë dhimbje për të punuar më fort dhe për t’i bërë realitet të gjitha ëndrrat që kemi pasur së bashku. Do të sigurohem që e gjithë bota ta njohë emrin tënd”, përfundon Diomand në rrëfimin e tij prekës.
Lini një Përgjigje