Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleatët e Aleancës janë “shumë të kënaqur” me marrëveshjen lidhur me Iranin, duke theksuar se NATO ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se Teherani nuk duhet të zotërojë kapacitete që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.
Në komentet e tij, Rutte përgëzoi Presidentin amerikan Donald Trump për arritjen e marrëveshjes, duke nënvizuar se është e domosdoshme të parandalohet zhvillimi i kapaciteteve raketore balistike të Iranit.
“Ne duhet ta parandalojmë Iranin që të ketë kapacitete raketash balistike, të cilat përbëjnë një kërcënim për rajonin, Evropën dhe botën në përgjithësi”, tha ai.
Sipas kreut të NATO-s, kërcënimi i paraqitur nga këto kapacitete është “degraduar rëndë” si rezultat i veprimeve që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë gjatë dy muajve të fundit.
Rutte theksoi gjithashtu rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
“Është padyshim e rëndësishme që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe të rivendoset liria e lundrimit. Kemi dëgjuar shumë aleatë që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Duke iu referuar qëndrimit të vendeve më të industrializuara të botës, Rutte tha se deklarata e fundit e G7 mbështet plotësisht veprimet e administratës amerikane ndaj Iranit.
“E keni parë deklaratën e G7 që mbështet plotësisht atë që Presidenti Trump po bën. Mendoj se ka mbështetje të gjerë dhe ne jemi dakord”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Lini një Përgjigje